A mund të regjistrohet PD zyrtare në zgjedhje? Përgjigjet Kume

Shqipëria

A mund të regjistrohet PD zyrtare në zgjedhje? Përgjigjet Kume

Më: 6 mars 2023 Në ora: 17:49
Kristaq Kume

Grupi i Enkelejd Alibeajt depozitoi sot në KQZ kërkesën për regjistrimin e PD-së në zgjedhje. Lulzim Basha aktizioi një dokument arkiv, të firmosur 3 ditë para se të deklaronte dorëheqjen e tij, ku autorizonte nënkryetarin Enkelejd Alibeaj dhe sekretarin e Përgjithshëm, Gazmend Bardhi për vendimarrjet në emër të PD, për zgjedhje.

Ky dokument iu bashkëngjit kërkesës që u dorëzua në KQZ për regjistrim të PD për zgjedhjet e 14 majit. Ajo u dorëzua nga përfaqësuesi Ligjor, Endrit Sefa dhe mbante firmën e Enkelejd Alibeajt. Ish kreu i KQZ-së, Kristaq Kume, në një intervistë për Abc News, u pyet nëse PD zyrtare mund të regjistrohet.

“Po, e ka këtë të drejtë ta regjistrojë sepse i është deleguar nga kryetari. Në marrëdhëniet me të tretët mund të veprojë por me zgjedhësit nuk e lejon Kodi Zgjedhor”, tha Kume. Ai shtoi se problemi nuk qëndron tek regjistrimi por te fleta e votimit pasi aty duhet të shënohet emri i Lulzim Bashës.

“Nuk është ky problemi përsa kohë i ka paraqitur dokumentat ashtu siç e kërkon Kodi Zgjedhor. Është një marrëdhënie administrative midis partisë dhe KQZ. Problemi do të jetë se si do të formulohet fleta e votimit sepse dihet se në fletën e votimit përmbi emrit të partisë, duhet të vendoset sigla dhe emri i kryetarit.

Për mua emri do të jetë Lulzim Basha. De Juro vazhdon të jetë Basha. Ai iu ka deleguar fuqinë e tij si kryetar për të vepruar me institucionet e tjera.”, tha Kume. Ai gjithashtu komentoi edhe përpjekjen e Sali Berishës për regjistrimin e Foltores në zgjedhje edhe pse Apeli vendosi të kthejë çështjen në shkallë të parë.

“Duke paraqitur në vend të vërtetimit që kërkon Kodi Zgjedhor të marrë nga zyra e regjistrimit, vendimin nga Zhukri. Nuk plotëson kërkesën e ligjit por siç e dimë është e pamundur që të konsiderohet një gjë e tillë në përputhje me Kodin Zgjedhor sepse Kodi është i qartë në atë që kërkon.

Me vendimin e marrë nga Apeli, edhe pse nuk është me fuqi ekzekutuese, nuk mund të kenë efekte për zgjedhjet që po zhvillohen si proces. Ai vendim e ka kthyer në pikën zero, në të njëjtën situatë që ishim në zgjedhjet e pjesshme me 6 Maj. Ajo që do të ndodhë edhe kësaj radhe është e njëjta gjë që ka ndodhur në ato zgjedhje të parakohshme.”, tha Kume.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat