“Kërkoj drejtësi”, Zamira Durda: Gjykata të japë përgjigje se pse Erisoni nuk jeton

Shqipëria

“Kërkoj drejtësi”, Zamira Durda: Gjykata të japë përgjigje se pse Erisoni nuk jeton

Më: 8 mars 2023 Në ora: 14:53
Foto nga vendi i ngjarjes

Zamira Durda, e cila humbi fëmijën 7-vjeçar në tragjedinë e Gërdecit foli për mediat pasi seanca në ngarkim të ish-ministrit Fatmir Mediu u shty për shkak të mungesës së prokurorit të çështjes. Ajo tha se kërkon nga drejtësia t’i japë shpjegime se pse djali i saj nuk jeton.

Nëna e vogëlushit, që humbi jetën më 15 mars 2008, u shpreh se për më shumë se një dekadë kërkon që personat përgjegjës që kanë gisht në këtë tragjedi duhet të marrin ndëshkimin e merituar, sipas ligjit në fuqi.

“Kërkoj drejtësi. Kam pritur 15 vjet, dua një përgjigje se pse Erisoni nuk jeton. Këtë pres nga gjykata. Për sa kohë që prokuroria ka çuar vetëm këtë nga zyrtarët e lartë dhe këtë kam kërkuar, që të marrë ose fajësi ose pafajësi me këto prova”, tha ajo.

Ndërkohë vetë ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu nuk u paraqit sot në SPAK, pasi në gjykatë u përfaqësua nga avokatët e tij. Mediu akuzohet nga Prokuroria e Posaçme për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës” dhe Shpërdorim i detyrës” në bashkëpunim me subjekt ushtarak-kuadër komandues.

Në tragjedinë e Gërdecit humbën jetën 26 persona dhe qindra të tjerë u plagosën si pasojë e shpërthimit të “fabrikës” së demontimit të municioneve, e cila funksiononte jashtë çdo kushti teknik dhe ligjor.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat