Beteja ligjore, Rusmajli dhe Bele shqyrtojnë pretendimet e dy PD-ve në KQZ

Shqipëria

Beteja ligjore, Rusmajli dhe Bele shqyrtojnë pretendimet e dy PD-ve në KQZ

Më: 13 mars 2023 Në ora: 07:47
Foto ilustrim

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve hodhi dje shortin mbi ankesat e paraqitur nga dy grupimet brenda Partisë Demokratike. Për ankimin e bërë nga Sali Berisha sipas shortit relator u caktua Ilir Rusmajli.

Ndërsa Koli Bele u caktua për ankimimin e grupimit Alibeaj. Berisha kërkon zhbërjen e vendimit të kryekomisionerit Celibashi, i cili vendosi që të njohë PD-në e përfaqësuar nga Alibeaj. Alibeaj nga ana tjetër ka ankimuar vendimin e KQZsë për mosregjistrimin e grupimit, pa plotësuar dokumentacion ku kërkohet firma e Lulzim Bashës që njihet ende kryetar i PD-së. Sipas këtij grupimi, Lulzim Basha është dorëhequr dhe kompetencat e kryetarit i ka Alibeaj. Kurse Sali Berisha, ankimoi në Kolegjin Zgjedhor të Ankimimeve mospranimin e regjistrimit të PD-së në emrin e tij nga KQZ-ja.

Nga ana tjetër, Basha refuzoi të firmoste, ndërsa grupi i “Alibeajt” pretendon se dokumentacioni i dorëzuar ishte i plotë. Kërkesën e KQZ për të plotësuar autorizimin e lënë nga Basha për delegim kompetencash, PD-ja zyrtare e ka konsideruar si qokë politike.

PD-ja në një reagim theksoi se KQZ po tenton që të lërë këtë forcë politike jashtë zgjedhjeve. Pas hedhjes së shortit për caktimin e relatorëve, do të nisë shqyrtimi i ankimimeve të Sali Berishës dhe Enkelejd Alibeajt në lidhje me regjistrimin e PD-së në zgjedhje. Si rrjedhojë, Komisioni i Ankesave dhe Sanksioneve do të shqyrtojë këtë javë dy kërkesat e grupimeve brenda PD për regjistrimin në lokalet e 14 majit. Pas hedhjes së shortit rezultoi që kërkesën e grupimit të Berishës, që të jetë ai përdoruesi i logos së Partisë Demokratike në këto zgjedhje, do ta relatojë Ilir Rusmajli.

Ky i fundit ka mbajtur disa poste të rëndësishme në PD si zëvendëskryeministër dhe deputet duke u konsideruar edhe si krah i djathtë i ish-kryeministrit, por u përplas me Berishën pasi nuk e mbështeti në garën për Avokat të Popullit. Tani do të jetë Rusmajli që do të paraqesë kërkesën për logon e PD-së si dhe argumentet e tij se kush duhet ta përdorë atë në 14 maj. Në të njëjtën kohë KAS përmes relatorit Koli Bele do të shqyrtojë kërkesën e grupit të Enkelejd Alibeajt i cili apeloi një vendim të KQZ-së që kërkonte firmën e Bashës në një nga dokumentet e paraqitura për regjistrim. Ndërkohë, në mbledhjen e djeshme u caktua edhe relatori i ankimimit të Lëvizjes Bashkë të drejtuar nga Arlind Qori, i cili do të jetë Elvis Çefa.

AFATET

Më 6 mars, përfundoi afati për aplikimin e regjistrimin e subjekteve politike në KQZ për zgjedhjet lokale të 14 Majit. Proces ky i cili nxiti më tepër debatet brenda selisë blu se cila nga PD do të regjistrohet, e Berishës apo Alibeajt. Për këtë arsye të dyja palët po e kërkojnë të drejtën e tyre nëpërmjet ankimimit në KAS.

16 Marsi është afati i fundit për dorëzimin e aplikimeve të koalicioneve që mund të krijohen për zgjedhjet lokale. Edhe pse deri më tani asnjë parti nuk ka konfirmuar zyrtarisht një koalicion, duket se PD e drejtuar nga Berisha po shkon drejt koalicionit me PBDNJ dhe PAA, ndërsa koalicioni i përfolur me PL duket i pamundur për shkak se Ilir Meta do të garojë me listë të veçantë të kandidatëve për Këshillat Bashkiak.

Data 26 mars është afati i fundit që subjektet politike të dorëzojnë emrat e kandidatëve për kryetar bashkie dhe listën shumë emërore për kandidatët e anëtarëve të këshillave bashkiak.

Pas dorëzimit të listave, hidhet shorti për renditjen subjekteve politike në fletët e votimit. Më 14 prill nis zyrtarisht fushata zgjedhore deri më 13 Maj, që është heshtje zgjedhore dhe më 14 maj është dita kur qytetarët do iu drejtohen kutive të votimit për të zgjedhur kryebashkiakun e qytetit të tyre. Enkelejd Alibeaj ankimoi të shtunën vendimin e KQZ-së për regjistrimin e Partisë Demokratike në zgjedhje, sipas së cilës nuk është dorëzuar dokumentacion i plotë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat