Zgjedhjet vendore në Shqipëri, PD-ja braktiset nga një pjesë e kandidatëve

Shqipëria

Zgjedhjet vendore në Shqipëri, PD-ja braktiset nga një pjesë e kandidatëve

Më: 29 mars 2023 Në ora: 16:16
Enkelejd Alibeaj

Një situatë e paqartë vjen nga Partia Demokratike me kryetar në detyrë Enkelejd Alibeajn në prag të zgjedhjeve lokale të 14 majit në Shqipëri.

Dy ditë pas skadimit të afatit për regjistrimin e kandidatëve në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), nuk dihet ende se sa është numri i kandidatëve të regjistruar nga PD-ja.

Pas mbledhjeve të gjata të fundjavës, Alibeaj mundi të dalë me një kandidatë për Tiranën, Roland Bejko. Bashkë me të kryetari në detyrë i Partisë Demokratike deklaroi se do të futet në garë edhe për të paktën 19 bashki të tjera.

Por të nesërmen e kësaj deklarate të Alibeajt, listat e kandidatëve për kryetarë bashkish, por edhe për këshilltar kanë filluar të firojnë. Janë 5 bashki, në të cilat kandidatët ose janë tërhequr ose në momentin e fundit nuk janë aprovuar nga kryesia.

Në Korçë dhe Lezhë kandidatët janë tërhequr. Gjergji Gjata u tërhoq bashkë me 40 kandidatët për këshillin bashkiak të Korçës për shkak se u ndje i tradhtuar nga lidershipi i partisë në Tiranë, ndërsa Sandër Marku në Lezhë ka vendosur të mos futet në garën e 14 majit, për shkaqe ende të paqarta.

Sakaq, Genc Doçi në Kurbin, Bujar Vreto në Librazhd, dhe Ibrahim Bruka në Vorë nuk janë aprovuar si kandidatura nga kryesia e PD edhe pse më herët ishin prezantuar si kandidatë në bashkitë përkatëse.

Ndërkohë, burime bëjnë me dije se tkurrja e kandidaturave të Alibeajt në zgjedhjet lokale të 14 majit pritet të vijojë edhe më tej me disa kandidatë që janë duke e rishikuar vendimin e tyre për tu futur në garën e 14 majit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat