“Nuk keni një opozitë të fortë në Parlament”, diplomatja e BE tregon pse nuk u takua me Alibeajn

Shqipëria

“Nuk keni një opozitë të fortë në Parlament”, diplomatja e BE tregon pse nuk u takua me Alibeajn

Më: 6 prill 2023 Në ora: 06:53
Christiane Hohmann

Megjithëse 40 ditë na ndajnë nga zgjedhjet vendore të 14 majit, opozita shqiptare është më e përçarë se kurrë. Ndërsa shumëkush gjen përgjegjës për situatën e krijuar në ish-kreun e PD-së, Sali Berisha, impakti që lë degradimi i forcës politike kryesore opozitare në jetën parlamentare është i madh.

Në një intervistë për emisionin “Top Story” me Grida Dumën, e pyetur pse nuk u takua zyrtarisht me kreun aktual të PD-së, Enkelejd Alibeaj kur erdhi në Shqipëri, diplomatja e Bashkimit Evropian, Christiane Hohmann ka deklaruar se pjesë e punës së saj është të ndërveprojë vetëm me ata deputetë që janë vendimtarë në procesin e integrimit evropian.

Më tej, Hohmann vuri theksin te mungesa e një opozite të fortë për të luajtur rolin e saj në kontrollin dhe balancën e pushtetit.

Pjesë nga intervista:

Top Channel: Ju përmendët rëndësinë e parlamentit dhe të trupës parlamentare në këtë proces, ndërkohë që jeta parlamentare midis qeverisë dhe opozitës është në momente të vështira për shkak të përçarjes së opozitës shqiptare, të themi më qartësisht, të Partisë Demokratike. Në dijeninë time, kur ju keni ardhur në Shqipëri në fillesë, nuk e keni takuar zyrtarisht, me shpejtësinë e duhur ose të pritshme, Enkeled Alibeajn. Pse ndodhi kjo dhe a është normalizuar apo e keni lënë përsëri në një lloj periferie pjesën zyrtare të Partisë Demokratike, siç quhet?

Ambasadorja: Jo, çështja është se ne ndërveprojmë me ata deputetë që janë vendimtarë, veçanërisht për procesin e integrimit evropian. Pra, që është Komisioni për Integrimin Evropian dhe gjithashtu Këshilli Kombëtar, me të cilët kam shumë ndërveprim dhe është shumë e rëndësishme t’i kemi të gjitha partitë aty, sepse nëse dëshironi të keni një demokraci të gjallë, gjë që, në fakt, është ajo për çka përpiqemi në demokraci, jo vetëm që ju duhet qeveria dhe shumica, por gjithashtu keni nevojë edhe për sistemin e kontrollit dhe balancimit, që do të thotë një opozitë e fortë, që në të vërtetë mund të udhëheqë, me shumicën, debatet për qasjen më të mirë, cilat janë idetë më të mira. Dhe kjo është ajo që, natyrisht, pa komentuar betejat e brendshme në partitë politike, mungon për momentin. Nuk kemi një opozitë të fortë për ta luajtur atë rol të kontrollit dhe balancimit në parlament.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat