Efekti nga rritja e pagave/ Presion pozitiv ndaj privatëve dhe dekurajim i emigrimit

Shqipëria

Efekti nga rritja e pagave/ Presion pozitiv ndaj privatëve dhe dekurajim i emigrimit

Më: 8 prill 2023 Në ora: 19:47
Foto ilustrim

Rritja e pagave për sektorin publik si dhe synimi për të rritur pagën mesatare në 900 euro duket se do të ketë një impaktin pozitiv në shoqëri, pasi do të rrisë nivelin e jetesës.

Por parë në aspektin psikologjik, kjo rritje e pagave pritet të ketë ndikim edhe në ndalimin e ikjes së të rinjve jashtë vendit.

“Mendojë se ishte momenti i duhur dhe kishte ardhur koha që këto paga të rriteshin sidomos për shtresat në nevojë të cilët nuk plotësonin mbijetesën e tyre me ushqimet e shportës dhe në atë që ne i themi në psikologjinë e shoqërisë kjo ndikon pozitivisht për vet faktin se përmbush ato nevojat minimale të jetesës. Kemi të bëjmë këtu patjetër me atë që i themi rritja e nivelit të jetesës ku duhej rritur paga minimale dhe aq më tepër duhej të ishin marr parasysh edhe disa profesione të caktuara për të përmbushur sado pak në psikologjinë e të rinjve atë që ne i themi mosikja apo largimi i të rinjve nga vendi”, tha Arjana Muça, psikologe.

Motivimi dhe rritja e produktivitetit në punë është një tjetër aspekt që ndikohet nga pagat e rritura.

“Paga është një nga elementët kyç sepse aty individi ndjen edhe shpërblimin e tij atë që ne i themi nga pikëpamja e mirëqenies sepse secili prej nesh kërkon një profesion të caktuar për të pasur edhe një jetesë më të mirë kështu që mendojë që në sektorin publik ne e dimë të gjithë që pagat e administratës janë ato që janë të deklaruara dhe janë të njëjta kështu që mendojë se kishte ardhur koha për një rritje të tillë”, deklaroi Muça.

Një vendim i tillë për rritjen e pagave në sektorin publik mund të jetë shtysë edhe për rritjen e pagave të punonjësve në privat.

“Mund të ketë një farë konkurrencë midis asaj që ne i themi të punuarit në publik në shtet dhe të punuarit në privat. Ne e dimë që privati të jep më shumë mundësi se sa shteti sidomos nëse e krahasojmë administratën me privatin unë do të thosha që në administratë është shumë e vështirë që ti të perfeksionohesh ose të ecësh në zhvillimin tënd profesional në karrierë ndërkohë që privati ta lehtëson më shumë këtë mundësi dhe ndoshta kjo do të jetë dhe do të ndikojë në rritjen e pagave të punonjësve që i përkasin privatit”, u shpreh psikologja.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat