Lejoi kalimin e mallrave kontrabandë në kufi, arrestohet doganieri dhe dy të tjerë

Shqipëria

Lejoi kalimin e mallrave kontrabandë në kufi, arrestohet doganieri dhe dy të tjerë

Më: 9 prill 2023 Në ora: 13:20
Foto ilustrim

Tre persona janë arrestuar në Korçë, mes tyre dhe një doganier për kontrabandë të mallrave.

Dyshohet se doganieri me iniciale -E. Ç., 62 vjeç ka shpërdoruar detyrën duke lejuar kalimin e mallrave të ndryshme ushqimore pa dokumentacion, të cilët janë gjendur brenda automjeteve të shtetasve O. Ç. dhe R. O., të cilët po ashtu janë arrestuar.

Sakaq është proceduar penalisht shtetasi me iniciale P. B., 55 vjeç i cili akuzohet për shpërdorim detyre, pasi ka lejuar kalimin e mallrave kontrabandë.

Njoftimi i policisë:

Qarku Korçë/Finalizohet me sukses operacioni policor i koduar “Skip”, për goditjen e kontrabandës së mallrave.

U kapën duke transportuar me 2 automjete, mallra ushqimore të kontrabanduara, vihen në pranga 2 shtetas.  Vihet në pranga edhe një doganier i Pikës Doganore Goricë, si dhe procedohet penalisht një punonjës i Policisë Kufitare Goricë, pasi dyshohet se shpërdoruan detyrën, duke lejuar kalimin e mallrave, në mënyrë të paligjshme.

Sekuestrohen mallra të ndryshme ushqimore. Specialistët e strukturave hetimore të DVP Korçë, në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kontrabandës me mallra, bazuar dhe në inteligjencën informative, organizuan dhe finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Skip”. Si rezultat i këtij operacioni u arrestuan në flagrancë shtetasit:

-O. Ç., 48 vjeç, banues në fshatin Orman, Maliq;

-R. O., 56 vjeç, banues në fshatin Rëmbec, Maliq;

-E. Ç., 62 vjeç, banues në Bilisht, Devoll, me detyrë doganier në Pikën Doganore Goricë.

Shërbimet e Policisë, në aksin rrugor “Pustec-Korçë”, pranë vendit të quajtur “Qafa e Zvezdës”, kanë ndaluar 2 automjete me drejtues shtetasit O. Ç. dhe R. O., në të cilat, gjatë kontrollit, u gjetën dhe u sekuestruan mallra të ndryshme ushqimore, pa dokumentacionin përkatës.

Nga veprimet hetimore rezultoi se këta dy shtetas i kishin kaluar këto mallra nëpërmjet Pikës Doganore Goricë, pa kryer veprimet përkatëse. Në vijim të veprimeve u arrestua në flagrancë edhe shtetasi E. Ç., me detyrë doganier në këtë pikë doganore, ndërsa Agjencia e Mbikëqyrjes Policore Korçë referoi materialet në Prokurori ku filloi procedimi penal për shtetasin P. B., 55 vjeç, banues në Korçë, me detyrë përgjegjës turni pranë Pikës së Kalimit Kufitar Goricë, pasi dyshohet se kanë shpërdoruar detyrën, duke favorizuar shtetasit O. Ç. dhe R. O., për të kaluar mallrat, në mënyrë të kundërligjshme.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë, për veprime të mëtejshme.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat