Vendoret, presidenti Begaj: Institucionet të reagojnë kur cënohet procesi

Shqipëria

Vendoret, presidenti Begaj: Institucionet të reagojnë kur cënohet procesi

Më: 13 prill 2023 Në ora: 18:21
Presidenti Bajram Begaj

Në Shqipëri presidenti Bajram Begaj tha sot se të gjitha institucione e përfshira në organizimin dhe mbajtjen e zgjedhjeve vendore të 14 majit, duhet të reagojnë përballë çdo fenomeni që mund të cënojë procesin. Ai i bëri këto komente gjatë një fjale të mbajtur përpara drejtuesve të strukturave të angazhuara me zgjedhjet. Kreu i shtetit i bëri thirrjeve forcave politike që të mos e shohin garën zgjedhore si një mundësi për denigrimin e njëri tjetrit por të angazhohen me ide për përmirësimin e jetesës së qytetarëve

Një ditë përpara se fushata zgjedhore të konsiderohet zyrtarisht e hapur, presidenti Bajram Begaj mblodhi drejtuesit e institucioneve të përfshira në process, përfshirë drejtuesen e misionit të vëzhguesve ndërkombëtarë Audry Glover dhe përfaqësuesë diplomatikë.

"Një proces zgjedhor i drejtë, i paanshëm dhe i bazuar tërësisht në kushtetutë e ligj, është detyrim thelbësor ndaj vendit" u shpreh në mesazhin e tij kreu i shtetit duke kujtuar se në të kaluar ka patur jo rrallëherë “fenomene negative dhe forma të paligjshme si pjesë e fushatës zgjedhore për të cilat institucionet jo gjithmonë kanë reaguar me sukses ndaj tyre. Sot, kuadri zgjedhor është më i plotë dhe instrumentet mbrojtëse janë më të avancuara. Fenomenet e shit-blerjes së votës, keqpërdorimit të burimeve financiare, financimet e paligjshme dhe jo transparente të partive politike, prishja apo manipulimi i procesit zgjedhor janë të patolerueshme. Policia, si dhe të gjitha institucionet e tjera përgjegjëse duhet të reagojnë përballë çdo fenomeni që mund të cënojë procesin zgjedhor."

Presidenti Begaj pati një thirrje dhe për partitë politike "që të mos e konsiderojnë konkurrimin si mundësi të denigrimit të njëri-tjetrit, por të angazhohen në garë me idetë më inovative për përmirësimin e jetesës së qytetarëve dhe për zhvillimin social- ekonomik të tyre, duke ruajtur kulturën, traditat, si dhe duke mbrojtur mjedisin e secilës prej njësive vendore të vendit tonë."

Nga ana tjetër, kreu i Shtetit i ftoi qytetarët të përmbushin detyrimin e tyre duke ushtruar të drejtën dhe pushtetin e votës: "Zgjedhjet vendore ju japin mundësinë për të përmirësuar hapësirën e jetesës së përditshme, duke filluar nga rruga ku kaloni çdo ditë, lagjia ku rriten fëmijët tuaj, si dhe qyteti apo fshati ku ju banoni. Ndaj ju lutem, në këto zgjedhje, me efekte të menjëhershme në përditshmërinë tuaj, ushtroni vullnetin tuaj, të mirëinformuar dhe krejt të lirë. Çdo intimidim apo shantazh duhet të denoncohet e dënohet!"

Zgjedhjet e 14 majit pritet të monitorohen nga vëzhguesit ndërkombëtar të ODIHR-it. Të paktën 13 ekspertë dhe 24 vëzhgues afatgjatë kanë mbërritur në vend, ndërsa për ditën e votimit është kërkuar prania edhe e 300 vëzhguesve të tjerë afatshkurtër.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat