Ekspertja e ekonomisë “zbërthen” situatën: Skema e pensioneve është në dilemë financiare

Shqipëria

Ekspertja e ekonomisë “zbërthen” situatën: Skema e pensioneve është në dilemë financiare

Më: 16 prill 2023 Në ora: 19:04
Foto ilustrim

Ekspertja e ekonomisë, Eriola Hoxha, është shprehur se në Shqipëri gjatë viteve të fundit është rritur pabarazia.

Komentet Hoxha i bëri gjatë një interviste për Panorama TV, ku tha se skema e pensioneve në vendin tonë është në një dilemë financiare.

Ajo shtoi se rritja e pagave në vend nuk duhet të bëhet për të mbushur gropën e pensioneve, por të hartohet një politikë e re për të gjithë skemën e pensioneve.

“Rritja për ekonominë shqiptare do të vijojë me trend të ulët. Ne jemi në një inflacion njëshifror. Me uljen e inflascionit, parashikohet të ketë edhe një ulje të çmimeve të produkteve ushqimore.

Sipas një logjike financiare, ata që kanë të ardhura më të ulëta, e ndiejnë më shumë rritjen e çmimeve. Sepse janë pagat që tregojnë sesa të përballueshme janë efektet e krizave. Unë do të doja që të mos ketë mbështetje të shtresës në nevojë vetëm në raste krizash. Kjo duhet të bëhet në vazhdimësi, pasi kështu prishet pabarazia. Sepse të pasurit po bëhen gjithmonë e më të pasur e të varfërit më të varfër. Një kategori që unë e kam shumë merak, është ajo e shtresës në nevojë, por me probleme shëndetësore, që nuk e përballojnë dot punën. Duke patur sa më shumë të ardhura për shtresën në nevojë, do të kemi edhe një rritje konsumi. Do të doja që pensionistëve, përveç pensionit, të ishte edhe një bonus mujor i përhershëm, që të mos bëhej vetëm kur mblidhet taksa e jashtëzakonshme nga ndërmarrjet e mëdha. Unë kam kohë që e them të rishikohen politikat sociale.

Rritja e pagës minimale është një veprim i domosdoshëm, por i vonuar në kohë. Veprimet duhet të ishin marrë më parë. Sepse një nga standatet kryesore për integrimin në BE është mirëqenia e qytetarëve, standarti i jetesës. Reformimi i pagave duhet të ishte marrë më herët. Qeveria duhet të bashkëbisedojë me të gjitha grupet e biznesit. Përveç se është e domosdoshme që për çdo nismë qeveritare, grupet e interesit të thirren në vendime, në mënyrë që të reflektohen të gjitha palët në proces. Kundërshtitë e biznesit duhet të merren në konsideratë.

Ka ardhur momenti që qeveria shqiptare të mos bëjë financime të pabarabarta, pra që dikush të përfitojë e dikush të humbasë. Që të jetë me ritme pozitive rritjeje, duhet që të gjitha palët në proces të jenë të përfshira.

Sipas deklaratave të shumë bizneseve, të cilët kanë deklaruar se kanë mjaft problematika dhe shpenzime për nxjerrjen e produkteve në treg. Biznesi patjetër që cënohet, por gjatë kësaj kohe, jemi përballur me ankesa se përse nuk rriten pagat. Shumë biznese janë shprehur se do të rrisin çmimet pas rritjes së pagave. Është një proces zinxhir i ekonomisë shqiptare. Duhej konsultuar vendimi me bizneset fillimisht.

Skema e pensioneve është në një dilemë financiare. Duhet të hartohet një politikë e re që të rregullohet i gjithë sistemi i pensioneve. Pra të mos mendojnë që me rritjen e pagave të mbushim edhe gropën e pensioneve”, u shpreh ajo.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat