Zgjedhjet/ “1 km rrugë kushton 3-4 herë më shumë se në Greqi”, Meta: Më 14 maj do të kalojmë nga monizmi, në transparencë absolute!

Shqipëria

Zgjedhjet/ “1 km rrugë kushton 3-4 herë më shumë se në Greqi”, Meta: Më 14 maj do të kalojmë nga monizmi, në transparencë absolute!

Më: 25 prill 2023 Në ora: 17:54
Kreu i Partisë së Lirisë Ilir Meta

Kreu i Partisë së Lirisë Ilir Meta, në takimin e radhës me qytetarët është ndalur në Korçë. Meta është shprehur se sot pushtetet janë në duart e një njeriu të vetëm duke theksuar se më 14 maj kjo do të ndryshojë dhe se do të marrë fund monizmi.

Meta nuk i kurseu kritikat ndaj qeverisë Rama ndërsa tha se në Shqipëri një km rrugë kushton 3-4 herë se në Greqinë fqinje.

“Para se të hyja këtu pashë këtë kullën e shëmtuar. Po Korça është një qytet historik ka identitetin e vet, si mund të bëhet një kullë e shëmtuar në mes të Korçës për një kapriço të dikujt? Mirë ai që iku nga mendja, po këta që janë këtu në Korçë si e pranuan?! Korça është me fat që të ketë një kryebashkiake dhe do ta ketë”, tha Meta.

Gjithashtu gjatë këtij takimi, kreu i PL tha se ka ardhur koha që në Korçë Bashkia t’i kthehet qytetarëve.

“Ka ardhur koha për të hapur një faqe të re dhe të vendosjes së transparencë dhe kthimit të Bashkive në interes të qytetarëve. Të kalojmë nga monizmi absolut, në transparencë absolute dhe kjo do të jetë një premtim i mbajtur menjëherë. Shtresa më e goditur janë gjithashtu gratë, nënat. Edhe emigrimi është kthyer në një shqetësim kryesor. Pse duhet të sjellim indianë apo bangladeshas. Nuk kemi fobi ndaj të tjerë, por s’mund të trajtohemi në këtë mënyrë, duke shtuar: “Një problem i madh është edhe dhuna. Kemi një shoqëri me një stres të madh. Korça për fat të keq është një nga qarqet që po përjeton tkurrjen  e popullsisë. Është shtuar frika e të rinjve për tu martuar sepse sot e dimë edhe se si janë rritur çmimet dhe janë shtuar vështirësitë. Më shumë probleme po përballet edhe mosha e tretë, dhe po ashtu nevojë për vëmendje të veçantë kanë personat me aftësi të kufizuar. Duhet të ketë një infrastrukturë të domosdoshme për ta. Por fatkeqësisht për shoqërinë tonë nuk ekzistojnë problemet sociale.”

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat