Krimet seksuale u rritën në 2022/ Ekspertët: Legjislacioni duhet të jetë më i ashpër

Shqipëria

Krimet seksuale u rritën në 2022/ Ekspertët: Legjislacioni duhet të jetë më i ashpër

Më: 8 maj 2023 Në ora: 14:21
Foto ilustrim

Kurba e krimeve seksuale në Shqipëri ka pësuar rritje. Publikimi i fundit i INSTAT nxjerr në pah se, krahasuar me 2021-shin, abuzimet seksuale gjatë vitit të kaluar janë shtuar me 24.3%.

Sipas pedagoges së psikologjisë, Tana Aliaj, shifrat janë edhe më të larta, pasi viktimat ose refuzojnë të bëjnë denoncimet për shkak të frikës e paragjykimeve, ose nuk e identifikojnë dot veprën penale në fjalë.

Unë besoj që shifrat janë më të larta sesa ato që ne kemi raportuar, sepse individët priren të mos raportojnë dhe të mos ndajnë abuzimin seksual. Ne kemi një mungesë të njohjes se çfarë është dhuna, kemi keqinformim, ndonjëherë kemi edhe pranim të dhunës duke qenë se e kemi legjitimuar. Kemi shprehje popullore, si “kush të rreh, të do” dhe e jap këtë shembull sepse gjuha dhe shprehjet popullore flasin për filozofinë dhe mendësinë e një populli, ndaj është e rëndësishme të informojmë se cfarë është dhuna ose si të sillemi pozitivisht në shoqëri.

Në rritjen e rasteve të abuzimeve seksuale, një ndikim të madh e pati edhe pandemia.

Prania e problemeve psikologjike, promovimi i modeleve të papërshtatshme të sjelljes, mund të ndikojë shpesh në rritjen e ngacmimeve seksuale, që është një trend në rritje global. Covid 19 hapi siparin e një sërë problemesh psikologjike, kryesisht ankth, depresion, por edhe probleme të tjera që individi mund të ketë. Zakonisht për shkak të izolimit tek individët, rriten tendencat e agresivitetit, frustrimit, që ne e dimë që janë të lidhura ngushtë me abuzimin seksual. Ne jemi një shoqëri që ende fatkeqësisht po e legjitimojmë dhunën.

Për autorët e këtyre krimeve, sipas avokatit Edvis Gorishti, legjislacioni në fuqi duhet të ishte më i rreptë, për të parashikuar një dënim më të lartë se sa ai që është aktualisht.

Unë mendoj që duhet shtuar marzhi i dënimit, pra është bërë një ndryshim së fundmi për autorët e dhunës në familje. Është ndryshimi, i cili i mohon të drejtën autorëve për të përfituar nga gjykimi i shkurtuar. Po të marrim një prej veprave, pra ngacmimin seksual, neni 108, kemi marzhin e dënimit nga 1 deri në 5. Dhe marzhi i dënimit për paragrafin e dytë, është nga 1 deri në 7. Paragrafi i dytë përmban vepra me natyrë të ngacimimit seksual, të kryera dy herë dhe ndaj të miturve.

Sa i takon krimeve seksuale ndaj fëmijëve, avokati Gorshti shprehet se shteti shqiptar duhet ta kishte zgjidhur problemin e implementimit të regjistrit që përfshin emrin, mbiemrin dhe një fotografi për të gjithë të dënuarit për pedofili.

Ne jemi akoma në pritje të formulimit të regjistrit, pra ai është një instrument që do të ndihmojë në parandalimin e këtyre krimeve. Fuqia që i jep ligji regjistrit është që të bëhet monitorimi nga organet ligjzbatuese, mendoj që është policia e shtetit që duhet të merret me këtë instrument, të monitorojë vendndodhjen e këtyre personave, lëvizjet e këtyre personave, në mënyrë që të ketë sa më pak viktima.

Nga 169 persona që janë arrestuar përgjatë vitit 2022, 82 përqind e tyre kanë qenë meshkuj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat