Spahia i përgjigjet ashpër kërcënimit të kryeministrit Rama

Shqipëria

Spahia i përgjigjet ashpër kërcënimit të kryeministrit Rama

Më: 10 maj 2023 Në ora: 23:52
Bardh Spahia

Bardh Spahia, kryebashkiaku i Shkodrës i cili kandidon për një mandat tjetër më 14 maj përballë Benet Becit, i është përgjigjur Edi Ramës, i cili ka thënë se do të mungojë bashkëpunimi nëse Shkodra voton “Bashkë Fitojmë.. 

I ftuar mbrëmjen e sotme në Top Story me Grida Dumën, Spahia tha se gjatë mandatit të tij si kryebashkiak ka pasur një mungesë të plotë bashkëpunimi nga ana e qeverisë, ku janë lënë pa përgjigje 50 projekte.

Spahia tha se në 10 vite Rama ka pasur kohën te tregoj vëmendjen ndaj Shkodrës, por ai i ka etiketuar shkodranët si të ‘pozicionuar në llogoren e tyre politike’. Kjo sipas Bardh Spahisë nuk është e vërtetë, pasi ata nuk janë të gatshëm të shesin lirinë e tyre. 

“Kemi pasur një mungesë të plotë vëmendjeje dhe bashkëpunimi. Jo pa qëllim i kam nxjerrë ato projekte të shumta të numër. Mjafton t’i hedhësh një sy projekteve që ne I kemi adresuar te ministritë e ndryshme apo te Fondi Shqiptar i Zhvillimit. Janë rreth 50 projekte që përfshijnë të gjitha fushat, infrastruktura, infrastruktura shkollore dhe nuk ka asnjë lloj përgjigje për 50 projekte vetëm gjatë këtij viti të fundit. Dhe po të shohim përpara, nga 2015-2022 janë 44 projekte të dërguara nga Bashkia Shkodër prej të cilave vetëm 4, pa ndonjë peshë të madhe, kanë marrë aprovim në 7 vite.

Edhe kjo tendencë për t’i etiketuar shkodranët si të pozicionuar në llogoren e tyre politike është e pavërtetë, tregon se kryeministri nuk e njeh fare popullin e Shkodrës, ata nuk janë të gatshëm të shesin lirinë e tyre, opinionin e tyre.  Kjo mënyrë sjellje dhe etiketimi ndaj kandidatëve, përfshi edhe veten, që marrin besimin e popullit tregon pak përqasjen dhe mentalitetin e tij diktatorial. Unë do të doja ta shikoja kryeministrin e vendit tim duke reflektuar pse një komunitet zgjedh të kundërvihet politikisht. Do doja të shihja ofertë karshi një komuniteti si Shkodra. Në 10 vite ka pas kohën e mjaftueshme të tregonte një lloj dashamirësie dhe vëmendjeje, ta kërkonte votën përmes fakteve dhe investimeve, jo përmes kërcënimeve”– tha Spahia.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat