Trondit Spartak Braho: Çelo Hoxha dhe Adriatik Alimadhi ‘vrasës’ me pagesë e falsifikatorë

Shqipëria

Trondit Spartak Braho: Çelo Hoxha dhe Adriatik Alimadhi ‘vrasës’ me pagesë e falsifikatorë

Më: 11 maj 2023 Në ora: 13:15
Spartak Braho

Ish-kryetari i Komisionit të Sigurisë Kombëtare, njëherësh ish-deputeti i Partisë Socialiste dhe një nga mbrojtësit më të mëdhenj të Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare ka reaguar ashpër, pas disa deklaratave të bëra nga kreu i Ballit Kombëtar, Adriatik Alimadhi dhe drejtori ekzekutiv i Institutit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, Çelo Hoxha, të cilët kanë sulmuar ashpër partizanët, komunistët dhe LANÇ-in. Në një intervistë dhënë për gazetën “SOT”, zoti Braho i cilëson Hoxhën dhe Alimadhin ‘vrasës’ me pagesë e falsifikatorë, madje dhe “këlyshë” të ballistëve dhe “psikopatë” neofashistë.

- Zoti Braho, jemi thuajse plot 32 vjet nga rënia e komunizmit dhe 38 vjet nga vdekja e diktatorit Enver Hoxha, por ka ende debat mes komunistëve dhe antikomunistëve. Nga njëra anë incidente me fotografitë e Enver Hoxhës,  për çdo 28-29 nëntor, apo foto të Sali Berishës në krah të Enver Hoxhës, nga ana tjetër demokratë që zgjohen dhe kërkojnë dekomunistizimin, si dhe rezervat që kreu i Ballit Kombëtar Adriatik Alimadhi, apo drejtuesit dhe ish-drejtuesit e Institutit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, si Agron Tufa dhe Çelo Hoxha që kanë për Luftën Antifashiste Nacional Çlirimtare e në veçanti rolin e partizanëve që dhanë jetën për liri. Si jeni ndjerë pas këtyre reagimeve dhe sulmeve që iu bëhen?

Nuk jam shqetësuar hiç fare. Përkundrazi, jam zbavitur me këta falsifikatorë, ‘këlyshë’ të ballistëve dhe ‘psikopatë’ neofashistë. Adriatik Alimadhi dhe Çelo Hoxha e kanë quajtur Heroin e Popullit, Qemal Stafa fashist dhe partizanët kriminelë! Si mund të heshtet para këtyre fëlliqësirave që ndotin dynjanë me shpifje? Pra do të vazhdoj të mbroj luftën dhe dëshmorët dhe do të luftoj që këta palaço të mos lehin si qentë kur shikojnë hënën, pra të mos vazhdojnë të nxijnë historinë e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare.

-Dakord, por si Alimadh, ashtu edhe Hoxha , të kanë quajtur apo quajnë stalinist, domethënë “kriminel”. Nuk ke frikë nga këto etiketime dhe nga këto sulme që të bëhen?

 Nga kush të kem frikë? Nga këta? Kurrën e kurrës! Një fjalë e urtë thotë se po pate frikë nga ujqërit, mos dil për gjah. Unë jam në mejdanin e politikës prej tridhjetë vjetësh dhe nuk ma mundon shpirtin asnjë mëkat. Ata tërbohen kur unë mbroj luftën antifashiste dhe them ca të vërteta që i dinë të gjithë. Po pse ti pandeh se këta janë ujqër? Këta janë një tufë lepujsh dhe unë nga lepujt nuk kam frikë… As edhe nga ndonjë derr politikan apo dhe nga disa të tillë që hiqen si historianë, politikanë dhe njohës të Luftës Antifashiste apo idelogjisë komuniste.

-Shiko zoti Braho, duket se po e teproni. Pavarësisht se ju mbroni Luftën Antifashiste, edhe ata kanë të drejtë të mbrojnë një tezë ndryshe. Ata nuk e fshehin faktin se janë antikomunistë dhe lufta që ju mbroni u udhëhoq nga komunistët dhe Enver Hoxha. Duhet folur me argumente, apo jo?

Çfarë argumentesh duan akoma këta? Ka 79 vjet që është fituar lufta dhe është çliruar Shqipëria nga këta zorzopë dhe ata vazhdojnë të vjellin vrer. Unë rrjedh nga një familje e lidhur ngushtësisht me luftën, kam dëshmorë në familjen time dhe deri në fund të jetës do ta mbroj atë luftë, pavarësisht se nuk kam qenë pjesëmarrës në të. Po gjithë synimi i tyre është të godasin Enverin, kanë frikë se mos ngjallet prapë ai dhe të gjithë e dinë se ku do të futeshin ata.

-Duket se është hapur një debat që besoj se do të vazhdojë gjatë, përderisa jemi në vitin e 79-vjetorit të çlirimit. Sa i nevojshëm është një debat i tillë aktualisht?

Unë mendoj se ky debat është shumë i nevojshëm përderisa do të ketë kokrra të tilla si Hoxha dhe Alimadhi. Ky Adriatiku dhe Çelo më ngjajnë si vrasësit me pagesë. I paguan dikush dhe ata lehin qesim.

-Ju i konsideroni këta “vrasës me pagesë”? Ky është një term shumë i rëndë, zoti Braho…

Po. Vrasës me pagesë janë. Pa thonjëza. Pavarësisht se ata nuk e përdorin koburen, pasi u është lagur baruti me kohë e me vakt. Po ata luajnë rolin e vrasësve me pagesë, falë kësaj lirie që kanë fituar. Dhe ky është një abuzivizëm me brirë…

-Kemi të bëjmë me figura emblematike të Ballit Kombëtar në këtë rast, zoti Braho. Mendoj se duhet të jeni më i kujdesshëm…

Për cilët figura e ke fjalën? Unë s’u njoh ndonjë meritë këtyre dy ballistëve. Në fakt nuk më kanë zgjuar interes… Thjesht, më duket kohë e humbur të merrem me ta. Më duket një torturë. Më lodhin.

-E kuptoj nervozizmin tuaj, zoti Braho. Por në këtë vit të 79 vjetorit të çlirimit të Shqipërisë tema e luftës do të diskutohet gjatë dhe do t’i rikthehemi edhe këtij debati që ju sapo e keni hapur. Mbase duhen rishikuar disa gjëra, apo jo?

Po, edhe unë jam për rishikim të historisë mbi bazën e dokumenteve të kohës. Duhet pasuruar historia, por nuk duhet nxirë. Për shembull Marenglen Kasmin, një historian të ri i cili ka sjellë dokumente befasuese për historinë e luftës sonë nga arkivat gjermane. Nuk po iu referohem historianëve të shquar si Paskal Milo e Pëllumb Xhufi, pasi Tufa e Kapllanët do dalin menjëherë e do thonë se ata janë kriminelë dhe stalinistë si unë. Po i referohem historianit Kristo Frashëri, i cili e ka jetuar luftën dhe e ka lënë të shkruar dëshminë e tij. Ja se çfarë na ka lënë si testament ai: “Gjatë Luftës së Dytë Botërore bota ishte ndarë në dy rreshtime politike. Në njërën anë qëndronin anëtarët e bllokut të agresorëve gjermano-italo-japonezë, të cilët kërkonin të vendosnin me dhunë diktaturën fashiste në mbarë njerëzimin. Anën tjetër e përfaqësonin anëtarët e kampit antifashist anglo-sovjeto-amerikan, të cilët luftonin për mbijetesën e vendeve të tyre dhe në të njëjtën kohë për lirinë dhe pavarësinë e popujve të robëruar. Në ato vite të përgjakshme, edhe Shqipëria ishte ndarë në dy rreshtime opozitare të ngjashme. Nga njëra anë, qëndronin qeveritarët kolaboracionistë, të cilët hynë në shërbim të agresorëve nazifashistë dhe për pasojë, e përfshinë Shqipërinë formalisht në bllokun e tyre. Nga ana tjetër, u radhitën forcat patriotike shqiptare, të cilave u takonte detyra të luftonin për pavarësinë e vendit.”

-Le të kthehemi edhe njëherë te Hoxha dhe Alimadhi. Pse i quani ata “vrasës me pagesë”?

Sepse të tillë janë. Unë të thashë se ata nuk janë për pushkë, pasi edhe të parët e tyre nuk dinin të zbraznin pushkë. Por këta janë shumë të djallëzuar dhe i bëjnë atentat historisë. Duan ta shuajnë të kaluarën tonë historike, pikërisht pjesën tonë më të lavdishme. E kjo me dy fjalë  don të thotë: të zbresim nga piedestalet heronjtë dhe dëshmorët dhe të ngjisim anti-heronjtë dhe kolaboracionistët si Mit’hat Frashëri, Pater Anton Harapi, Hamit Matjani e kriminelë të tjerë. Unë kam një siguri në vetvete që kjo nuk ka për të ngjarë kurrë. Sado libra të botohen me paratë e shtetit, pra të qeverisë socialiste. Në fakt atyre, pra pinjollëve të ish-kolaboracionistëve të djeshëm nuk u shtohet aspak lavdia dhe meritat, është qeveria e Ramës që humbet pikë. Kjo është e gjitha.

-Në përfundim zoti Braho dhe nisur nga fakti që ju keni qenë një nga deputetët dhe politikanët më të angazhuar në mbrojtjet të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare dhe të dëshmorëve të saj, më lejoni t’ju bëj edhe një pyetje të fundit. Çfarë është për ju antifashizmi, trend apo ideologji komuniste? E bëj këtë pyetje pasi disa thonë se përkujtimi i luftës antifashiste është nostalgji komuniste…

Antifashizmi nuk mund të barazohet me ideologjinë komuniste. Ata që e bëjnë vënë këtë shenjë barazimi e kanë kryekëput gabim. Bisha fashiste e naziste u mund e u mbyt nga aleanca e madhe antifashiste anglo-sovjeto-amerikane, pavarësisht se barrën më të madhe e mbajti ushtria e kuqe nën udhëheqjen e Stalinit. Përballë bishës hitleriane u bashkuan në një front kundërshtarët ideologjikë, sikurse ishte Ruzvelti e Çurçilli me Stalinin. Pra unë them se antifashizmi është një trend që nuk ka të bëjë me ideologjinë komuniste. Është një trend botëror madje. Mund të ketë ringjallje dhe shfaqje të falangave fashiste, por kjo nuk do të thotë se ato përbëjnë trend. Ju kujtoj se Peteni në Francë ishte heroi i Francës në Luftën e parë Botërore, por kur ai u bashkua dhe bashkëpunoi me pushtuesit në Luftën e Dytë, u dënua me vdekje nga qeveria franceze në mbarim të saj dhe i shpëtoi për fije ekzekutimit, ndërsa dënimi iu kthye në burgim të përjetshëm. Kështu edhe tek ne. Antifashizmi ka qenë dhe do të mbetet një trend i përhershëm, pavarësish disa pipizaneve që duan të baltosin luftën tonë antifashiste. Le të kujtojmë një fakt historik. Luftën për mbrojtjen e Republikës së Spanjës nga fashizmi i Frankos, në të cilën u rreshtuan mijëra luftëtarë antifashistë nga 53 popuj të botës, amerikanë, anglezë, francezë rusë etj. Patën edhe shqiptarët e tyre luftëtarët antifashistë,mjaft prej të cilëve edhe u vranë si heronj në atë luftë. Të tillë qenë Mehmet Shehu, Petro Marko, Mane Nishova, Asim Vokshi, Ramiz Varvarica, Justina Shkupi e dhjetëra të tjerë. A pati ndonjë “ballist” apo legalistët në Spanjë nga Shqipëria? Jo! Prandaj kam thënë dhe them me plot gojën se antifashizmi ka qenë dhe mbetet një trend i rinisë evropiane dhe shqiptare, si në atë kohë, edhe në këtë kohë edhe në të ardhmen.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat