​Donin të shpërndanin ushqim për përfitime elektorale, tre të arrestuar në Shkodër

Shqipëria

​Donin të shpërndanin ushqim për përfitime elektorale, tre të arrestuar në Shkodër

Më: 13 maj 2023 Në ora: 14:47
Foto ilustrim

Policia në Shkodër ka arrestuar drejtorin e Drejtorisë Ekonomike-Arsimore në bashkinë e Shkodrës, teknikun e Shërbimeve Mbështetëse në Drejtorinë Ekonomike-Arsimore dhe specialistin e Financës në Drejtorinë Ekonomike-Arsimore. Kurse është shpallur në kërkim porositësi i pakove ushqimore, me detyrë Drejtor i Drejtorisë së Ujësjellës-Kanalizimeve, në këtë bashki, pasi të njëjtit u kapën në flagrancë duke transportuar me furgon, 50 qese me ushqime, për t'i shpërndarë te qytetarët, për përfitime elektorale.

Sipas Policisë, në cilësine e provave materiale janë sekuestruar, 50 qeset me ushqime, si dhe automjeti me të cilin transportoheshin ato.

“Strukturat hetimore të DVP Shkodër, në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë e Shkodrës, kanë vijuar veprimet e thelluara hetimore për rastin e evidentuar mesditën e djeshme, në unazën perëndimore të qytetit të Shkodres, ku shërbimet e Policisë, bazuar në inteligjencën informative, si dhe si rezultat i kontrolleve të territorit me qëllim parandalimin dhe goditjen e krimeve elektorale, shoqëruan në Drejtorinë Vendore të Policisë Shkodër, 3 punonjës të bashkisë Shkodër, të cilët transportonin me një furgon, 50 pako me ushqime. Në përfundim të veprimeve procedurale për këtë rast, u arrestuan në flagrancë, për veprën penale "Korrupsioni aktiv në zgjedhje", kryer në bashkëpunim, shtetasit: -E. I., 31 vjeç, me detyrë Drejtor i Drejtorisë Ekonomike-Arsimore, bashkia Shkodër; -P. D., 49 vjeç, me detyrë Teknik i Shërbimeve Mbështetëse në Drejtorinë Ekonomike-Arsimore, bashkia Shkodër;-M. V., 63 vjeç, me detyrë Specialist i Financës në Drejtorisë Ekonomike-Arsimore, bashkia Shkodër. Gjithashtu, nga veprimet e thelluara hetimore në lidhje me këtë rast, u bë i mundur konstatimi i shtetasit që kishte porostitur qeset me ushqime, konkretisht shtetasi A. B., 33 vjeç, me detyrë Drejtor i Drejtorisë së Ujësjellës-Kanalizimeve, bashkia Shkodër, i cili u shpall në kërkim. Vijon puna për kapjen e tij”, thuhet në njoftim.

Sipas komunikatës, materialet procedurale i kaluan Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat