Zgjedhjet vendore/ Situata parazgjedhore në zona të ndryshme, si vijon procesi i shpërndarjes së materialeve zgjedhore

Shqipëria

Zgjedhjet vendore/ Situata parazgjedhore në zona të ndryshme, si vijon procesi i shpërndarjes së materialeve zgjedhore

Më: 13 maj 2023 Në ora: 20:48
Foto nga intervista

Një ditë para zgjedhjeve vendore bashkitë në të gjitha zonat e vendit po kryejnë përgatitjet e fundit për garantimin e materialeve zgjedhore, në mënyrë që 14 Maji të mos shfaqë problematika në procesin e votimit.

Për Vizion Plus, nga Saranda raporton gazetarja, Alma Çelaj, e cila thekson se situata është e qetë, ndërsa procesi i shpërndarjes së materialeve zgjedhore nuk ka shënuar incidente.

Procesi i shpërndarjes së materialeve zgjedhore mesa duket ka shkuar më së miri, sepse nuk ka pasur kompikacione, nuk ka pasur vonesa dhe është realizuar në të katërta bashkitë. Në komunikimin që kemi pasur me të katërta KZAZ përkatëse të katër bashkive do të jetë i mundur identifikimi elektronik i qytetarëve që do të shkojnë drejt kutive të votimit”.

Bela Cena nga Vlora bën një pasqyrë të situatës para zgjedhore të kësaj zone.

Procesi i shpërndarjes së materialeve zgjedhore është duke përfunduar, përveç asaj në shkollën “Ismal Qemali”, e cila ka përfunduar në orën 18:30, përndryshe gjithçka tjetër është në rregull”, raporton Bela Cena, duke theksuar se në Bashkinë e Himarës nuk janë hasur problematika nga situata e krijuar pas arrestimit të kandidatit të opozitës, Fredi Beleri.

Esido Barkaj nga Shkodra raporton se procesi i shpërndarjes së materialeve zgjedhore në bashkitë e këtij qarku është ende në vijim.

“Në të 5 bashkitë e qarkut të Shkodrës vijon ende shpërndarja e materialeve zgjedhore në të gjitha qendrat e votimit dhe pranë KZAZ-ve. Shpërndarja e materialeve të votimit po kryhet nën vëzhgimin dhe shoqërimin e policisë së këtij qarku, ku shprehet se deri në këto momente nuk ka pasur problematika në lidhje me procesin e shpërndarjes së materialeve zgjedhore”, raporton Esido Barkaj.

Situata paraqitet e qetë nga Mallakstra, zonë për të cilën raporton gazetarja Merita Hoxha.

“Janë shpërndarë materiale zgjedhore për 25 qendra votimi, nga 50 që kjo bashki ka në total. Të gjitha këto qendra votimi janë marrë në ruajtje nga Policia e Shtetit. Ky proces vijon paralelisht edhe në Bashkinë e Fierit, Patosit, Roskovecit, Lushnjes dhe Gjirokastrës”, raporton Merita Hoxha duke theksuar se atmosfera paraqitet e qetë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat