KQZ bën thirrje që të mos lejohen persona të paautorizuar në qendrat e votimeve

Shqipëria

KQZ bën thirrje që të mos lejohen persona të paautorizuar në qendrat e votimeve

Më: 14 maj 2023 Në ora: 14:49
Foto ilustrim

Kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Shqipëri, Ilirjan Celibashi ka deklaruar se procesi i votimeve në tërësi është duke shkuar mirë.

Celibashi derisa ka treguar të dhënat për pjesëmarrje ka bërë thirrje autoriteteve të mos lejohen persona të paautorizuar në qendrat e votimit. Sipas tij, është e papranueshme që personat që kanë votuar të vazhdojnë të qëndrojnë në ambientet ku votohet.

Celibashi: Nga raportimet që kemi procesi është duke shkuar qetë dhe pa probleme në aspektin teknik

“Është ecuria e procesit në qendrat e votimit dhe situata e fillimit të këtij procesi në këto qendra, nga raporti që ne kemi 77 për qind e qendrave të votimit e kanë filluar procesin e votimit në orën 07:00, 13 për qind e tyre kanë filluar në 07:30, ndërsa 11 për qind e kanë filluar procesin e votimit pas orës 08:00 dhe kryesisht kjo është përqindja e qendrave të votimit që kanë pasur probleme me funksionimin e pajisjes elektronike të identifikimit. Në orët e para të mëngjesit kishim disa Qendra të Votimit, të cilat nuk ishin me kuromë, tashmë prej disa orësh ka zero qendra të votimit, të cilat nuk e kanë kuorumin. Nga raportimet që kemi procesi është duke shkuar qetë dhe pa probleme në aspektin teknik. Kemi patur raportim për disa ndërprerje të shkurtra të energjisë elektrike në Fierzë dhe në Shijak, kemi patur dy probleme në lidhje me sasinë e fletëvotimit të shpërndara”, ka thënë Celibashi.

Duke folur për procesin zgjedhor, Celibashi ka thënë se kanë marrë shqetësime nga qytetarët në lidhje me përdorimin e bojës.

Celibashi: Kemi marrë shqetësime në lidhje me përdorimin e bojës matrikulluese

“Nga komunikimi që kemi me policinë mbi incidente mundshme, kemi dy incidente një me komisionerin në Fushë-Krujë dhe një në Dibër. Kemi disa raste denoncimesh, janë 14 të denoncuara deri më tani nga KQZ nëpërmjet aplikacionit...Kemi marrë shqetësime në lidhje me përdorimin e bojës matrikulluese mbi prezencën e personave të paautorizuar. Kemi pasur një shqetësim të ngritur për procesin elektronik në Elbasan ku thuhet se zgjedhja e votuesit dhe fleta e votimit janë të ndryshme. Për të gjitha këto përgjigja ime është sqarimi. Jemi dëshmitarë që historia e bojës ka qenë në vëmendje, sepse ka plot votues që e fshijnë bojën, por janë pamje që në çdo zgjedhje i shikojmë. Procesi i votimit është duke shkuar normalisht. Është kaluar problematika e identifikimit elektronik”, është shprehur Celibashi.

Ai ka thënë se është e papranueshme që qytetarët, të cilët nuk kanë fare me qendrën e votimit ose ata që kanë votuar të rrinë brenda ambientit të votimit. Ai u ka bërë thirrje organeve kompetente të marrin masa për këtë çështje.

Celibashi: Organet ligjzbatuese të marrin masa për qytetaret qe përfundojnë votimin dhe vazhdojnë te rrinë ne qendrën e votimit

“Një çështje që dua të sjell në vëmendje të organeve ligj zbatuese, është prania e personave të paautorizuar në qendrat e votimit. Ne si KQZ e konsiderojmë këtë prani si intimitim depresion ndaj votuesve. Ndaj, është rasti që autoritet ligj zbatuese, duke filluar nga policia e shtetit, ta adresojnë këtë si shqetësim dhe të merren masat përkatëse. Është e papranueshme që qytetarët, të cilët nuk kanë lidhje fare me atë qendër të votimit ose kanë përfunduar procesin e votimit të vazhdojnë të rrinë në ambientet e brendshme ky votohet. Duhet të boshatisen menjëherë”, ka thënë Celibashi.

Mes tjerash, ai ka treguar se është tejkaluar edhe problematika e identifikimit elektronik.

Celibashi: Është tejkaluar edhe problematika e identifikimit elektronik

“Në tërësi procesi i votimit është duke shkuar normalisht. Është tejkaluar edhe problematika e identifikimit elektronik, pasi procesi i fundit vazhdon edhe sipas mënyrës tradicionale, ngelet për t’u verifikuar në këto 502 qendra votimi se për çfarë arsyeje patëm këtë situatë, jemi duke punuar për këtë. Por, me rëndësi fakti që në të gjithë pjesden tjetër procesi i identifikimit elektronik është duke shkuar shumë mirë”, ka shtuar Celibashi.

Në Shqipëri mbahen sot zgjedhjet lokale, ku rreth 140 kandidatë do të synojnë të marrin drejtimin e 61 bashkive në tërë Shqipërinë.

Në këto zgjedhje garojnë rreth 140 subjekte politike. Gara do të jetë kryesisht mes Partisë Socialiste të Shqipërisë së Edi Ramës dhe Koalicionit “Bashkë fitojmë” të Sali Berishës dhe Ilir Metës, të cilët kanë kandidatët e tyre në çdo bashki.

Ndërsa, Partia Demokratike e Shqipërisë, e përfaqësuar nga Enkelejd Alibeaj, gjithashtu do të jetë në garë në disa bashki.

Në 44 bashki do të garojnë nga dy kandidatë, në 14 bashki do të jenë nga 3 kandidatë, ndërsa në Sarandë do të jenë 4 kandidatë.

Beteja kryesore do të jetë për kryeqytetin, Tiranën, ku ka gjashtë kandidatë. PS ka vendosur t’i besojë Erion Veliajt, ndërsa koalicioni Meta-Berisha i ka vënë përballë Belind Këlliçin. Ndërkaq, PD e Alibeajt ka kandiduar Roland Bejkon.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat