Shqipëri, vëzhguesit vendorë ndjekin nga afër procesin zgjedhor

Shqipëria

Shqipëri, vëzhguesit vendorë ndjekin nga afër procesin zgjedhor

Më: 14 maj 2023 Në ora: 18:42
Foto nga vendngjarja

Zgjedhjet në Shqipëri po ndiqen edhe nga një numër i konsiderueshëm vëzhguesish vendorë. Pas disa raportesh të pjesshme mbi problemet gjatë fushatës, vëzhguesit vendas po regjistrojnë nga afër çdo problematikë të ditës së zgjedhjeve.

Vëzhguesit vendas vërejtën një pjesëmarrje të ulët në gjysmën e parë të ditës gjatë procesit të votimit për shkak të problemeve teknike në komisione.

Drejtuesja e SHKD-së, Gerta Meta thotë se pritet një shtim i pjesëmarrjes në gjysmën e dytë të ditës, megjithatë mbetet për t’u parë sesa do të jetë pjesëmarrja deri në fund të procesit, ku ndikon ndjeshëm edhe emigrimi i lartë i banorëve vitet e fundit.

Edhe pse me një numër më të ulët vëzhguesish krahasuar me zgjedhjet e mëparshme, Shoqata për Kulturë Demokratike është përsëri pranë qendrave të votimit për të ndjekur nga afër procesin, siç ka bërë qysh prej vitit 1991.

Drejtuesja e Shoqatës, Gerta Meta, thotë se zgjedhjet nisën me vonesa për shkak të bllokimit të teknologjisë.

“Disa nga pajisjet elektronike, si pajisja PEI, që realizon identifikimin biometrik të qytetarit, u bllokuan në mbi 500 qendra votimi në gjithë vendin. Për këtë shkak votimi nisi me vonesë, dhe votuesit e parë pritën një orë dhe dy orë derisa të zgjidhej situata”, tha zonja Meta.

Ndërsa drejtuesi i Qendrës Studimore InfoÇip, Gerti Shella, vëren një numër të ulët të vëzhguesve vendorë në terren, madje e cilëson këtë si një mangësi të këtij procesi, e ndërkohë thekson se policia dhe media njoftojnë për disa dhjetëra procedime penale zgjerimin e dukurisë së shitblerjes së votës.

“54 procedime penale të regjistruara deri tashmë sipas të dhënave të policisë së shtetit, flasin për një dukuri, që duket sikur po fiton qytetari. Kjo është shqetësuese dhe duhet të trajtohet shpejt dhe saktë. InfoÇip po punon për të diferencuar tipologjinë e krimeve zgjedhore deri në përfundim të periudhës zgjedhore. Shitblerja e votës besoj se është kryefjala e krimeve zgjedhore në këto zgjedhje”, thotë zoti Shella.

Nga vëzhgimet e ardhura për SHKD shënohet qëndrimi pranë qendrave të votimit i shumë veprimtarëve partiakë, që vëzhgojnë qytetarët, që vijnë për të votuar, si dhe thirrja e emrave të votuesve me zë të lartë në mjediset e qendrës së votimit, duke krijuar një tensionim të tyre dhe një shërbim më shumë për vëzhguesit partiakë, që mbikëqyrin procesin.

Por problem shqetësues mbetet edhe shit-blerja e votës, sipas zonjës Meta, si dhe ngurimi i qytetarëve për të denoncuar ofertat e shumëllojshme, që u paraqiten, për të shkelur ligjin.

“Qytetarët kanë shumë oferta për të shitur votën, por ata kanë pasiguri për ta denoncuar këtë problematikë tek organet ligjzbatuese. Qytetarët janë deri diku të mirinformuar që në Kodin Pendal akti i shitjes apo blerjes së votës, apo favorizime të tjera në këmbim të votës, është një vepër, e cila dënohet nga një deri në 5 vjet burg. Askush nga qytetarët që u bëhen këto oferta nuk besoj se janë gati të sakrifikojnë veten, fëmijët dhe familjen për këtë gjë”, thotë zonja Meta.

SPAK, prokuroritë e rretheve dhe KQZ janë disa nga institucionet, që trajtojnë ankesat dhe paditë për shit-blerje të votave, por megjithë ashpërsimin e ligjeve kundër kësaj dukurie, ende subjektet politike dhe veprimtarët e tyre nuk ndruhen që të përfshihen në këtë krim zgjedhor.

Zoti Shella thotë se numri i dënimeve të mëparshme për shitblerjen e votës është vetëm 3 në afro 300 denoncime, dhe duket se mungon vullneti për ta frenuar këtë dukuri.

“Në zgjedhjet e vitit 2021 u regjistruan dhe InfoÇip dokumentoi 291 kallzime penale. Gjysma e tyre u regjistruan si procedime penale. Në dijeninë tonë vetëm dy çështje morën konkluzion në gjykatë. Ishte çështja e Dibrës dhe çështja e një ish kandidati të ish-LSI-së në Tiranë. Janë dënuar 3 persona respektivisht 18 muaj i pari, 18 muaj I dyti dhe 12 muaj tjetri. Në këndvështrimin tonë ndëshkueshmëria e krimeve zgjedhore është shumë e ulët në Shqipëri, çka shtyn të dyshosh në efikasitetin e organit të prokurorisë, si dhe në vullnetin politik për ta trajtuar dukurinë”, thotë zoti Shella.

Qëndresa Qytetare është një tjetër vëzhguese e këtyre zgjedhjeve, e cila renditi shkeljet e para, qysh nga dekurajimin e qytetarëve për të ushtruar të drejtën e votes, mosfunksionimin e pajisjeve elektronike për identifikim, dhe deri tek prania në qendrat e votimit e shumë personave të paautorizuar.

Vëzhguesit e saj njoftuan për presione dhe frikësime që drejtues të administratës dhe kandidatë për zgjedhjet lokale kanë ushtruar ndaj qytetarëve në disa nga bashkitë më të mëdha, votime familjare, shkelje të fshehtësisë së votës.

Organizata të tjera si KSHH dhe Koalicioni për Reforma, Integrim, dhe Institucione të Konsoliduara (KRIIK) kanë shpërndarë në terren veprimtarët e tyre dhe po ndjekin afër zgjedhjet për pushtetin vendor.

Mes 61 bashkive të Shqipërisë, ky votohet sot për kryebashkiakë të rinj, Tirana ka 6 kandidatë, dhe është qyteti me më shumë kandidatë për kryetarë bashkie. Erion Veliaj po synon një mandat të tretë në krye të bashkisë, ndërsa ka përballë një opozitë të përçarë, me 3 kandidatë, një nga PD Roland Bejko, një nga koalicioni Bashkë Fitojmë Belind Këlliçi, një nga PDIU Lajla Përnaska, krahas edhe dy kandidatëve nga Lëvizja Bashkë Arlind dhe Qorri dhe një nga Fronti i Majtë Marko Dajti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat