Godole: Shqiptarët votuan kundër figurave të opozitës dhe jo pro PS, Rama ka perfeksionuar manipulimin e votës

Shqipëria

Godole: Shqiptarët votuan kundër figurave të opozitës dhe jo pro PS, Rama ka perfeksionuar manipulimin e votës

Më: 16 maj 2023 Në ora: 08:26
Jonila Godole

Pedagogia dhe ekspertja e komunikimit, njëherësh anëtare e kryesisë së PD, Jonila Godole, ka folur dje për procesin zgjedhor. Në një emisionin televiziv, Godole theksoi dje se qytetarët nuk kanë votuar Partinë Socialiste, por kundër opozitës dhe figurave kryesore politike të saj. Sakaq tha se ka një tendencë që Partia Socialiste të fitojë zgjedhjet.

“Teza ime ka qenë që opozita nuk ishte një alternativë qeverisëse për shqiptarët. Nuk ka dalë ende informacioni për Këshill Bashkiak. Ka tendencë për një fitore të thellë të PS-së. Për mua është e pakonceptueshme, për shkak të skandaleve të korrupsionit. Përveç gjuhës polarizuese, abuzimi me administratën dhe fondet publike do i shohim edhe në vijim. Si ka mundësi që PS ka fituar kaq thellë. Jam e sigurt se kjo fitore e PS është një votë kundër opozitës. 2/3 të kutive janë numëruar, por tendenca është e qartë se Erion Veliaj është fituesi i zgjedhjeve. Bejkon e paralizoi fakti që një pjesë e lidershipit të PD nuk e ndau mendjen 1 vit ose 6 muaj më parë, nuk e organizuan partinë, nuk e filloi fushatën në vjeshtë, por vetëm disa javë më parë. Mbase edhe nga ana tjetër që ishte kritika ndaj Foltores dhe Berishës sesa një vizion për qytetin”, deklaroi ajo.

Më tej Godole theksoi se Rama nuk është një aktor i ri politik, nuk ka shpikur metoda, ndoshta ka perfeksionuar metodën e manipulimit të votës.

“Unë pash dje situatën në Elbasan dhe kjo duhet analizuar në shumë plane. Mund të kishte ndodhur për hir të një fitoreje. Ne jemi mësuar me këto alibi që ia kanë dalë që asnjë forcë nuk pranon rezultatin. Pati një risi në këto zgjedhje, ku Arlind Qori tha se ‘nëse humbasim do mbajmë përgjegjësi të plotë dhe nuk do ia hedhim fajin askujt’. Rama nuk është një aktor i ri politik, nuk ka shpikur metoda, ndoshta ka perfeksionuar metodën e manipulimit të votës. Nuk mund të ketë alibi për klasën politike. Humbja e PD në Veri është diçka që kërkon reflektim për votuesin shqiptar që është më pragmatist. Rama me gjuhën e tij shantazhuese i ka bërë shantazh shqiptarëve. Është një shantazh i padrejtë për elektoratin. Arteria dhe rruga më qendrore është aksi i Veriut, i cili është lënë në gjendje skandaloze. PD nuk ka investuar në Shkodër dhe ka menduar se do ketë Veriun e Shqipërisë. Është mandati i tretë, strukturat janë të lodhura dhe qytetarët mbase bëhen dhe pragmatistë”, nënvizoi Godole.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat