ODIHR kritikon zgjedhjet: Problem presionet ndaj administratës dhe blerja e votës

Shqipëria

ODIHR kritikon zgjedhjet: Problem presionet ndaj administratës dhe blerja e votës

Më: 16 maj 2023 Në ora: 13:03

OSBE-ODIHR dhe Këshilli Evropian shfaqën kritika të shumta lidhur me procesin zgjedhor të 14 majit për pushtetin lokal. Kur procesi i numërimit të votave po shkon drejt fundit, shefja e misionit vëzhgues të OSBE-ODIHR për këto zgjedhje, Audrey Glover dhe Përfaqësuesi i Kongresit të Autoriteteve Vendore dhe Rajonale në Këshillin e Evropës, Stjuart Dikson renditën mjaft problematika për fushatën zgjedhore dhe procesin, por nuk pranuan ta konsideronin si të kompromentuar, jo të lirë dhe të ndershëm.

Kritikat më të forta u përqendruan te fakti që partitë politike pjesëmarrëse zhvilluan betejë politike frontale dhe kandidatët e tyre nuk u përqendruan te problemet e qyteteve ku garuan. Po ashtu, u përmend se ka patur mjaft raste të intimidimit të votuesve në qendrat e votimit si dhe për presion ndaj administratës.

Diplomatja britanike Glover, e cila e njeh mjaft mirë Shqipërinë, pasi ka mbikëqyrur dhe më parë proceset zgjedhore në vendin tonë, nënvizoi dhe kandidimin e pakët të grave si dhe la të kuptohej se pjesëmarrja e ulët në këto zgjedhje ishte ndikuar nga emigrimi masiv i shqiptarëve. Kryesisht, ajo e konsideroi fushatën dhe procesin zgjedhor të 14 majit si të qetë.

Diplomatja Glover:Mediat u lidhën fort me partitë politike, fushata qe e qetë

Në raportin e shfaqur për mediat, Glover vuri theksin e problematikave të zgjedhjeve, veçanërisht te fakti që kandidatët nuk paraqitën programe konkrete për drejtimin e bashkive dhe për më tepër nuk zhvilluan asnjë debat publik.

Diplomatja me përvojë pati kritika dhe ndaj mediave që kanë mbajtur anshmëri të lartë me partitë politike kryesore, duke mos transmetuar në mënyrë transparente dhe të drejtë fushatën dhe procesin e votimeve të 14 majit.

“Ekziston një besim në listën zgjedhore, megjithatë 40% e votuesve ndodhen jashtë vendit. Ka komisione të administrimit zgjedhor. Krijimi i tyre ishte problematik. Fushata ka qenë paqësore megjithëse sulmeve nga liderët e partive politike që ishin të rënda. Përveç disa tubimeve, fushata ishte e qetë. Kandidatët s’kanë patur debate, por kanë përdorur rrjete sociale. Lidhja e mediave me forcat politikë shkakton lidhje të drejtpërdrejtë të vijave editoriale dhe nuk rezulton me një burim konkret informues. Ka patur sulme ndaj gazetarëve. Kemi qenë të shqetësuar për aksesueshmërinë të vendeve ku mund të votojnë personat me aftësi të kufizuara. Fatkeqësisht, fushatat u përqendruan në politikën në partitë kombëtare dhe jo në çështjet e rëndësisë më të madhe në vendndodhje të ndryshme”, deklaroi fillimisht shefja e misionit vëzhgues të OSBE-ODIHR në Shqipëri.  

Dikson: Duhet klasë e re politike, identifikimi elektronik dështoi, pati intimidime

Konstatime shqetësuese për procesin zgjedhor shfaqi dhe Përfaqësuesi i Kongresit të Autoriteteve Vendore dhe Rajonale në Këshillin e Evropës, Stjuart Dikson. Ai ngriti shqetësime për dështimin e përdorimit të pajisjeve elektronike identifikuese, që rezultoi një nga skandalet më të mëdha të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe shtetit shqiptar, një investim i pavlerë prej 25 milionë eurosh.

Dickson përmendi se gjatë vëzhgimeve në disa qendra votimi, kishte persona që intimidonin qytetarët për të votuar. Diplomati irlandezo-verior dha mesazhin e rëndësishëm se sot Shqipëria duhet të prodhojë klasë të re politike.

Ne erdhëm këtu si pjesë e OSBE dhe ju tërheq vëmendjen se nuk është diçka e zakonshme që të bëjmë vëzhgime të zgjedhjeve vendore. Dhe ne e shohim Shqipërinë si vend aspirues dhe me potencial. U gëzuam që opozita mori pjesë në këto zgjedhje, pavarësisht që pati një mungesë fushe loje në fushatë. Ndërkohë që vërejta një dëshirë për ndryshim, por temat vendore nuk ishin kryefjalë e kësaj fushate. Përballja e drejtuesve të politikës la në hije kandidatët. Gjithashtu duhet një frymë e re me të rinj. Parlamenti Europian vuri re gjithashtu, pajisjen e identifikimit elektronik që jo gjithnjë funksionuan. Vëzhguesit panë edhe shumë njerëz jashtë qendrave të votimit që mund të quhej intimiduese. Megjithatë, duhej thelluar në çështjet vendore, kushte më të mëdha jetese, largimit e trurit nga vendi programet etj”, lexoi në raportin e tij Dickson.

Glover: S’mund të themi se qenë zgjedhje të lira e të ndershme

 E pyetur nëse ky zgjedhjet  lokale të 14 majit mund të konsiderohen të lira dhe të ndershme, kur ka mjaft denoncime për shitblerje votash, Glover u tregua e sinqertë duke u përgjigjur se mund ta thotë një gjë të tillë. Ajo pranoi se OSBE-ODIHR ende nuk është në dijeni se në çfarë shkalle janë intimiduar punonjësit e administratës nga partia në pushtet, PS. Po ashtu, ajo ngriti shqetësimin se kjo garë për pushtetin lokal i ngjante më shumë një fushate zgjedhore parlamentare, duke injoruar totalisht nevojat e qytetarëve të zonave të ndryshme urbane të Shqipërisë.

“Shqetësimi ynë i madh është se deri në çfarë mase iu është bërë presion njerëzve të punësuar në administratën publike. Në rastet kur mbështetja për qeverinë e ardhshme ka qenë e kushtëzuar nga mbështetja për partinë në pushtet. Ekziston edhe një aspekt tjetër në këto zgjedhje. Votuesit, zgjedhësit, për kë janë zgjedhjet, mbahen për politikanët apo votuesit, për politikanët vendas apo zgjedhësit vendas? Në rastin e zgjedhjeve vendore, votuesit duhet që të zgjedhin se kush kandidat është më i miri për ta dhe komunitetet e tyre. Që ta bëjnë këtë fushatat dhe platformat e atyre kandidatëve, duhet që të trajtojnë çështjen me rëndësi më të madhe për komunitetet e veçanta të votuesve. Fushatat dhe pasqyrimi i këtyre zgjedhjeve vendore u fokusua më së shumë tek politika dhe partitë kombëtare dhe jo në çështje të rëndësisë më të madhe në vendndodhje të ndryshme, veçanërisht jashtë Tirane", u përgjigj shefja e misionit vëzhgues të OSBE-ODIHR për zgjedhjet lokale të 2023 në Shqipëri.

Glover: KQZ organizoi zgjedhjet e 14 majit në mënyrë transparente

Megjithatë, pavarësisht kritikave për menaxhimin e zgjedhjeve nga KQZ, diplomatja vlerësoi punën e këtij institucionin për bërjen transparente të procesit të organizimit të votimeve.

“KQZ organizoi punën në mënyrë transparente. Në qendër të zgjedhjeve duhet të jenë qytetarët. Duhet parë se si ka qenë zgjedhja ndaj votuesve. Mbulimi i fushatës u fokusua te politika qendrore e partive, dhe jo në çështje me interes për qytetarët. Falenderoj Ministrinë e Jashtme që na ftoi për të monitoruar këto zgjedhje. ODIHR do të prodhojë një raport final me rekomandimet e duhura. Shpresoj që çështjen që kemi evidentuar të zgjidhen. Politikanët të kenë parasysh interesat e qytetarëve ”, është shprehur monitoruesja britanike.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat