Patozi parashikon zhvillime në PD: Do të ndodhin procese të këqija

Shqipëria

Patozi parashikon zhvillime në PD: Do të ndodhin procese të këqija

Më: 20 maj 2023 Në ora: 11:33
Astrit Patozi

Kryetari i "Bindja Demokratike", Astrit Patozi, duke komentuar humbjen e madhe të opozitës në zgjedhjet vendore të 14 majit, përsëriti deklaratat për mbajtjen e përgjegjësisë dhe reflektimi dhe jo tek justifikimet e palëve. Ai tha se askush nuk është ngatërruar tek fleta e votimit, por justifikimet për humbjen sipas tij bëhen për të ruajtur status-quo-në.

“Unë nuk besoj se dikush është ngatërruar kur ka votuar, këto janë elementë të pakëndshëm që kanë dobësuar fuqinë elektorale, por jo argumentat që të përligjin rezultatin shkatërrues. Njerëzit e kanë pasur mundësinë të shprehin vullnetin e tyre, pro këto akrobacitë e truqet elektorale mund të shërbenin si motivim i elektoratit për t’u hakmarrë ndaj padrejtësive që u behën. 

Të dielën the që po shkojmë drejt fitores dhe tani të thuash nuk kishe vulën. Këto deklarata bëhen për të ruajtur status-quo. Nëse i pret koha dhe i kanë jetët tepër këta njerëz; se dy rrugë ka; ose ikën njeriu që i prin njerëzve ose njerëzit prej njeriut. Nëse nuk ikën njeriu që merr përgjegjësi do të kalojmë te skenari i dytë”, tha ai.

Për largimin e Berishës, ai thotë se kjo gjë i takon Foltores:  

“Është një problem që i takon Foltores, është në të drejtën e vet se kë do të ketë udhëheqës. Nëse janë të kënaqur me këtë rezultat le të vazhdojnë, madje ne të tjerët më shumë e dëmtojmë reflektimin që mund të ndodhë brenda PD e Foltores se jemi të jashtëm. 

Pavarësisht ndjesive tona për PD e dikurshme, ne nuk jemi ftuar t’i këshillojmë ata. Edhe ata 500 mijë veta që kanë votuar për kandidatë e opozitës e shohin si interpretohet kjo humbje dërrmuese e pashembullt që kalon përmasat e 2015 që ishte rezultati më i keq dhe shumë mbrapa rezultatit të 2021”.

Edhe brenda PD-së zyrtare, asaj të vulës, Patozi shikon përçarje për të marrë e drejtimit, ndërsa grupi parlamentar demokrat sipas tij është pasqyra që tregon partinë:

“Procese të këqija do të ndodhin edhe brenda PD së vulës se edhe aty ka luftë për të marrë skeptrine udhëheqësit pavarësisht rezultatit të ulët. Edhe aty ka dy rryma për të marrë drejtimin e partisë zyrtare, po kam përshtypje që do të jetë pjesa që mbajti barrën e fushatës dhe jo pjesa që u fsheh gjatë ditëve të zgjedhjeve. Fakti që edhe ata po zihen nuk është sinjal pozitiv. Grupi parlamentar është i ndarë në copa, është një lloj pasqyre i asaj që ka tepruar nga PD. Grupi parlamentar e tregon më së miri, shiko atë dhe shikon gjendjen e PD në tërësi”.

I pyetur se kush mund ta çojë PD-në drejt fitores Patozi përjashton të gjithë ata që janë përfshirë në zhvillimet e deritanishme të sherreve dhe bërrylave:

“Unë them që duhet ta marrin njerëz që nuk kanë asnjë ngarkesë me zhvillimet e deritanishme që nuk janë përzierë në luftën e bërrylave, nuk kanë blinduar partinë dhe nuk e kanë sulmuar me hunj e tulla. Ata duhet të mblidhen dhe mbase ia dalin njerëz që nuk janë sharë e rrahur me njëri- tjetrin. Unë kam shumë njerëz në mendje që ne nuk i njohim fare, njerëz intelektualë dhe të shkolluar që kanë dhënë kontribut për PD në një cep e hije dhe mund të jenë më të dobishëm se këta që janë tani”-tha Patozi në A2CNN.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat