Përkujtohet Revolta e Spaçit/ Begaj: Heronjtë e burgut na kujtojnë se lufta për liri është e përhershme

Shqipëria

Përkujtohet Revolta e Spaçit/ Begaj: Heronjtë e burgut na kujtojnë se lufta për liri është e përhershme

Më: 21 maj 2023 Në ora: 15:18
Foto nga vendi i ngjarjes

Kryetari i shtetit shqiptar, Bajram Begaj, ka përkujtuar revoltën në burgun e Spaçit, duke përcjellë mesazhin se lufta për liri është një luftë e përhershme.

Gjatë vizitës në këtë burg, presidenti Begaj nderoi kujtimin e të gjithë atyre që u ngritën kundër regjimit komunist.

“Ata janë pjesë e një historie që ende nuk ka dalë plotësisht në dritë dhe që ndikon me peshë hijesh në të ardhmen e vendit tonë. Heronjtë e Spaçit e të tjerë si ata, shërbejnë si një kujtesë për të gjithë ne, se lufta për liri është një luftë e përhershme, që kërkon angazhimin dhe vigjilencën tonë të palëkundur. Një kujtesë se fuqia për të formësuar fatet tona qëndron brenda secilit nga ne.”

Kreu i shtetit shqiptar deklaroi se shoqëria shqiptare është gjithnjë në borxh me ata që u ngritën kundër diktaturës komuniste.

Në këtë ditë të shënjuar historike, të mbijetuarit e Revoltës së Spaçit janë shembulli më i mirë se, pavarësisht gjithë vuajtjes që kanë përjetuar, ata përçojnë tolerancë, mençuri, shpresë dhe mirësi. Për këtë, e për gjithë betejat tuaja, shoqëria jonë ju ka një borxh të madh”

Burgu i Spaçit u hap në vitin 1968 dhe në të vuanin dënimin më shumë se 1 mijë të burgosur politik. Në 21 majin e vitit 1973, disa prej të burgosurve u rebeluan kundër gardianëve e regjimit komunist. Ata ngritën mbi tarracën e burgut flamurin kombëtar pa yllin komunist. Revolta përfundoi me pushkatimin e 4 protagonistëve, Pal Zefi, Dervish Bejko, Skënder Daja dhe Hajri Pashaj, si dhe me ridënimin e rëndë të dhjetëra të burgosurve të tjerë politikë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat