Nis në Shqipëri “Defender Europe 23”, shqiptarë e amerikanë qëndrojnë krah për krah

Shqipëria

Nis në Shqipëri “Defender Europe 23”, shqiptarë e amerikanë qëndrojnë krah për krah

Më: 22 maj 2023 Në ora: 11:29
Foto ilustrim

Nisi sot (e hënë) për herë të dytë në Shqipëri, stërvitja e përbashkët shumëkombëshe drejtuar nga Komanda Evropiane e SHBA, ku do të demonstrohen aftësitë ndërvepruese të Shteteve të Bashkuara me ushtritë aleate dhe partnere të NATO-s. Në ceremoninë e nisjes së stërvitjes së përbashkët, krerët e shtetit dhe të ushtrisë vlerësuan lart bashkëpunimin mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, deklaroi se me agresionin e padrejtë rus në Ukrainë, realiteti i sotëm gjeopolitik është tërësisht ndryshe dhe situata e sigurisë është bërë tejet më komplekse.

Sipas tij, këto ndryshime kanë efekte të ndjeshme edhe në Ballkanin Perëndimor, ku, sipas tij, aktorë dashakeqës që nuk ndajnë të njëjtat vlera me ne përpiqen të zgjerojnë influencat e tyre.

Begaj: Shqipëria e përkushtuar të jetë faktor stabilizues në Ballkan

“Shqipëria është e përkushtuar në misionin e saj si faktor stabilizues ne Ballkan dhe eksportuese e sigurisë në rajon e më gjerë... Çdo investim më shumë drejt forcimit të kapaciteteve mbrojtëse, është një investim më shumë drejt stabilitetit, është një investim për të garantuar një të ardhme më të paqtë të brezave të rinj, të cilët kurrsesi nuk duhet të përballen me pasojat shkatërruese që sjellin konfliktet. Koha për të marrë përgjegjësitë tona është tani dhe reagimi duhet t‘i përgjigjet sfidave aktuale”, deklaroi Begaj.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, tha se zhvillimi i kësaj stërvitjeje me praninë e trupave shumëkombëshe, nën drejtimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, është njëkohësisht dhe shprehje e unitetit të madh dhe vendosmërisë së palëkundur të të gjithë komunitetit euro-atlantik për të mbrojtur me çdo kusht vlerat dhe parimet mbi të cilat ngrihen dhe funksionojnë shoqëritë e të dy vendeve.

Rama: Pavarësisht gjuhës jemi të lidhur me vlera dhe parime

“Kjo stërvitje na rikujton edhe njëherë se pavarësisht gjuhës që flasim, pavarësisht flamurit që përfaqësojmë, jemi të lidhur pazgjidhshmërisht pikërisht me ato vlera dhe parime, të cilat janë të kërcënuara po njësoj për secilin prej nesh. Prandaj, të gjithë së bashku, jemi të imponuar nga historia jonë dhe nga ardhmëria jonë që të funksionojmë në unitet të plotë”, deklaroi Rama.

Ndërsa, ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në vendin Shqipëri, Yuri Kim deklaroi se, amerikanët dhe shqiptarët qëndrojnë krah për krah me njëri-tjetrin.

Ajo tha se të dy vendet kanë ndërmarrë hapa të mëdhenj së bashku si aleatë dhe partnerë të sigurisë, duke ngritur dy pranitë e para ushtarake të SHBA-së në historinë e Shqipërisë, shtabin rajonal pararojë të Komandës së Operacione Speciale të SHBA-së, Taskforcën për Ballkanin si dhe rotacionin e njësisë së Brigadës të Forcave të Sigurisë dhe ndihmës së SHBA-së.

Kim: Amerikanët dhe shqiptarët qëndrojnë krah për krah

“Jemi këtu si aleatë, miq dhe partnerë. Amerikanët dhe shqiptarët qëndrojnë krah për krah sikurse e thoni ju. Dikur të ndarë veçmas, tani aleatë të NATO-s dhe partnerët më të afërt ushtarakë. Në dy vjet, që prej ‘Defender Europe 2021’ bota ka ndryshuar, Rusia nisi një pushtim të plotë dhe brutal ndaj Ukrainës. SHBA, Shqipëria dhe aleatët tanë të NATO-s janë më të bashkuar dhe të fortë se kurrë. Nuk mund të mos kujtoj fjalët e Skënderbeut, Heroi Kombëtar të Shqipërisë dhe madje heroi im vetjak ‘Bashkimi bën fuqinë’”, deklaroi Kim.

Gjatë periudhës maj-qershor 2023, Forcat e Armatosura të Shqipërisë do të marrin pjesë në stërvitjet e paketës të Komandës Amerikane për Evropën “Defender Europe 23”, e cila do të zhvillohet në disa vende të Evropës dhe do të demonstrojë aftësitë e aleancës për t’u dislokuar, për të shtuar kapacitet luftarake, unifikuar, gatishmërinë e njësive në një mjedis të përbashkët, si dhe për të ushtruar aftësitë dhe potencialet e vendeve pritës.

Kjo stërvitje do të shërbejë gjithashtu për të testuar aftësitë dhe kapacitetet e NATO-s për të mbajtur një qëndrim frenues ndaj të gjithë agresorëve në Evropë.

Stërvitja “Defender Europe 23”, është një stërvitje shumëkombëshe, shumëdimensionale, e përvitshme e drejtuar nga ushtria Amerikane (USAREUR-AF), e cila ka fokus konsolidimin e elementëve të gatishmërisë dhe ndërveprueshmërisë ndërmjet forcave amerikane, vendeve të NATO-s de atyre partnere. 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat