“Armën nuk mund ta mbushë një person me një dorë”, gazetari: Dyshohet se Habib Rexha ka pasur bashkëpunëtor

Shqipëria

“Armën nuk mund ta mbushë një person me një dorë”, gazetari: Dyshohet se Habib Rexha ka pasur bashkëpunëtor

Më: 23 maj 2023 Në ora: 00:53
Eni Ferhati

Habib Rexha, 31-vjeçari i akuzuar se vrau për hakmarrje Arian Gosën pasditen e së dielës në Kavajë dyshohet se mund të ketë patur bashkëpunëtor. Në studion e “Opinion”, gazetari Eni Ferhati, duke cituar burime të policisë tha se dyshimet e hetuesve se Rexha mund të jetë ndihmuar lidhen me faktin se ai ka vetëm një dorë, por edhe për mënyrën si u largua nga vendngjarja duke humbur gjurmët.  

“Ka patur një analizë deri në orët e vona të mbrëmjes për këtë ngjarje nga policia, por ka dyshime që autori i ngjarjes së ditës së djeshme të ketë patur dhe një bashkëpunëtor. Për shkak të kufizimit të tij vetë fizik, pra i gjymtuar. Ai ishte me një dorë, pra dorën e djathtë nuk e kishte funksionale, ka dyshime të jetë ndihmuar sepse armën nuk mund ta mbushë një person me një dorë. Minimalisht të paktën krehërin nuk mund ta mbushë, sepse për të shkrehur armën edhe mund ta bëjë këtë gjë. Ose e ka blerë të mbushur. Ka dyshime që ai mund të jetë ndihmuar në këtë gjë. Nga përgjimet nuk është se ka rezultuar që të komunikojë me njerëz të tjerë. Ai është larguar me një automjet që është identifikuar nga policia”.

Sa i takon dyshimeve të policisë, për vendndodhjen e të riut gazetari tha: “Dyshimet paraprake janë që është larguar drejt qytetit të Kukësit për shkak të njohjeve të tij, por dhe prejardhjes së tij. Por nuk përjashtohet mundësia të jetë larguar edhe jashtë, për sa kohë që ka patur informacione sesi mund t’i shmangesh gjurmimit policor duke u larguar ilegalisht përmes territorit të gjelbër dhe nuk regjistrohet drejt Kosovës duke shfrytëzuar fundjavën”.

31-vjeçari Habib Rexha jetonte në Gjermani. Ai ndodhej këtu kur iu vra vëllai i madh Altin Rexha dhe sipas gazetarëve në studio, pas ngjarjes nuk u largua, por qëndroi në Shqipëri. Gjatë kësaj kohe dyshohet se dhe planifikoi hakmarrjen ndaj familjes Gosa.

Ai është vëllai i Altin Rexhës, 43-vjeçarit i cili mbeti i vrarë nga përplasja me Edmond Gosën, vëllain e viktimës së djeshme në Kavajë. Ngjarja në fjalë ndodhi po në këtë qytet më 29 Mars dhe palët vranë njëri-tjetrin në rrugë, pas një konflikti banal.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat