Vdekja e të arrestuarit për vjedhje/ Ministri Manja: Aksidentet në burgje ndodhin! Ngjarja po hetohet

Shqipëria

Vdekja e të arrestuarit për vjedhje/ Ministri Manja: Aksidentet në burgje ndodhin! Ngjarja po hetohet

Më: 24 maj 2023 Në ora: 13:31
Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja

Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja ka reaguar për vdekjen e Jani Rustemajt në burg, pak ditë pasi u arrestua për vjedhje.

I pyetur nga gazetarët pas mbledhjes së qeverisë, ministri tha se aksidentet në burgje ndodhin ashtu sikurse në jetën e përditshme, por i rëndësishëm është hetimi me transparencë.

“Lidhur me rastin, për sa kohë është një çështje që po hetohet, refuzoj të flas se ka një kakofoni zërash, jo në paraburgim, jo te 313, jo në spital… Kemi përgjigje konkrete për secilat raste, që ua kemi thënë familjarëve. Si në jetën e përditshme, edhe atje ndodhin aksidente. E rëndësishme është transparenca te familjarët”.

27-vjeçari u arrestua në 12 prill për vjedhje atletesh dhe një tapet. Rustemaj ishte përdorues droge dhe ka patur komplikacione pas ndalimit për shkak të varësisë.

Policia njoftoi se në datën 14 prill, ai ka shfaqur shqetësime shëndetësore ndërsa ishte në Bllokun e Sigurisë te DVP Tiranë dhe nga strukturat që merren me sigurimin e të ndaluarve dhe arrestuarve është njoftuar shërbimi i emergjencës mjekësore dhe pas ndihmës që i është dhënë, gjendja e tij është përmirësuar.

Një ditë më pas, u shoqëruar në ambientet e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, ku iu caktuar masa e sigurisë “Arrest në burg”.

Më 16 prill pas daljes së urdhrit të ekzekutimit të masës së sigurisë nga Prokurori, u dërgua në burgun 313, Tiranë, sikurse ka njoftuar policia.

Autoritetet e burgut 313, nuk kanë pranuar që ta marrin në dorëzim për shkak të mbingarkesës në këtë institucion dhe në këto kushte ai është rikthyer dhe vendosur përsëri në Bllokun e Sigurisë Tiranë.

Me 17 prill, 27-vjeçari ka shfaqur sërish shqetësime shëndetësore dhe pas mbërritjes së emergjencës shëndetësore është transportuar në spitalin “Nënë Tereza”, ku dhe është shtruar.

Më datë 30 prill, në Komisariatin e Policisë Nr. 3, Tiranë, është paraqitur dhe ka bërë kallëzim nëna e të arrestuarit e cila ka ngritur pretendime për trajtimin shëndetësor të djalit të saj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat