Akademia e Studimeve Albanologjike kundër vendimit të qeverisë për shkrirjen e saj, Berisha akuzon Ramën se po ia fal ASA-n Skënder Gjinushit

Shqipëria

Akademia e Studimeve Albanologjike kundër vendimit të qeverisë për shkrirjen e saj, Berisha akuzon Ramën se po ia fal ASA-n Skënder Gjinushit

Më: 29 maj 2023 Në ora: 08:07
Foto ilustrim

Lideri i opozitës, Sali Berisha dënoi projektvendimin e qeverisë për të shkrirë Akademinë e Studimeve Albanologjike deri në fund të këtij viti për t’ia kaluar në varësi totale Akademisë së Shkencave të Republikës së Shqipërisë.

Në rrjetet sociale, ish-kryeministri akuzoi rivalin e tij Rama dhe ministren e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushin se kanë ndërmarrë një tjetër hap për t’i rritur fuqinë kryetarit aktual të ASH, Skënder Gjinushi, i cili konsiderohet nga opozita se është zgjedhur politikisht dhe pa meritë akademikë. Berisha e konsideroi këtë veprim të qeverisë si antikombëtar dhe kërkoi anullimin e tij.

“Të dashur miq, Edi Rama po ndërmerr një sulm të hapur kundër albanologjisë, gjuhës shqipe, shkencave të etnogjenezës, identitetit tonë kombëtar. Ai në kundërshtim me ligjet e Arsimit të Lartë dhe të Akademisë së Shkencave ka përgatitur me ministren e tij të arsimit një vendim për shkrirjen e Akademisë Albanologjike, qendrave dhe instituteve të saja dhe dorëzimin e tyre tek Skendër Gjinushi. Dënoj me ashpërsinë më të madhe këtë vendim antishqiptar dhe antiligjor të Edi Ramës si një goditje asgjësuese për studimet e gjuhës shqipe, shkencave të etnogjenezës dhe kërkoj anullimin e tij të menjëhershëm”, shkruan Berisha në “FB”.

Nga ana tjëtër, vetë drejtuesit dhe pedagogët e ASA-s e kanë cilësuar të papranueshme vendimin e qeverisë për shkrirjen e saj. Rektori Luan Përzhita u shpreh për mediat se nuk është njoftuar nga autoritetet shtetërore e arsimore për një gjë të tillë.

“Nuk di asgjë se çfarë po ndodh. Nuk kemi njoftim as nga Ministria dhe as nga organe të tjera. Prandaj merret vendimi diku ku nuk jemi pjesë. Senati ka vendosur që procedura e filluar është e papranueshme. Ne e kemi argumentuar”, tha Luan Përzhita, rektori i Akademisë së Studimeve.

Gjuhëtarja dhe ish-deputetja e PS, Ledi Shamku ngriti shqetësimin se nëse ASA shkrihet, atëherë nuk do të krijohen albanalogë apo studiues të gjuhës shqipe.

"Ne jemi institucioni i vetëm që të formojmë albanologë të nesërm. Me dërgimin e këtij institucioni pranë Akademisë së Shkencave mundësia e formimit nga këto burime njerëzore shuhet, e ky institucion do prodhojë ose mësues, ose pellazgologë të rinj, a thua se nuk na mjaftonin të vjetrit”, u shpreh Shamku.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat