Tensione në Kuvendin e Shqipërisë për Kosovën, deputeti i PD-së kërkon qëndrim – Nikolla: Komente të tepërta

Shqipëria

Tensione në Kuvendin e Shqipërisë për Kosovën, deputeti i PD-së kërkon qëndrim – Nikolla: Komente të tepërta

Më: 15 qershor 2023 Në ora: 11:49 Përditësuar në ora: 12:49 më 15.06.2023
Kuvendi i Shqipërisë

Deputeti i Shqipërisë: Për Kosovën jam i pari që marr armët për të luftuar po të jetë nevoja

Deputeti i PD-së në Kuvendin e Shqipërisë, Asllan Dogjani në një replikë për kundërshtarin e tij politik Taulant Balla në lidhje me situatën në Veri të Kosovës ka deklaruar se është i gatshëm të marrë armët për të luftuar nëse është e nevojshme. Ashtu sikurse në fillim të seancës plenare, deputeti përsëriti se Kuvendi i Shqipërisë duhet të mbajë një qëndrim zyrtar dhe të dënojë dhunën e ushtruar nga ana e grupeve kriminale në veri të Kosovës duke iu referuar këtu rrëmbimit të tre policëve të Kosovës nga ata serbë.

“Nëse do jetë nevoja, unë jam i pari që marr armët. Ne kuksianët i kemi marrë armët gjatë luftës së Kosovës ku janë vrarë disa të rinj tanët. Kemi pritur mbi 500 mijë shqiptarë të Kosovës gjatë luftës. Po zotëri, unë e marr armën për të luftuar për Kosovën.

Unë kam kërkuar të dalim me rezolutë për të dënuar dhunën e ushtruar nga paramilitarët serbë ndaj zyrtarëve të Kosovës. Duhet të bëjmë një përpjekje dhe të mbajmë qëndrimin tonë. Nuk po analizojmë qëndrimin e Albin Kurtit por kërkojmë që kryeministri ynë mos të bëjë platforma paçavurre. Prandaj të dalim me një rezolutë të dënojmë dhunën e ushtruar në Kosovë nga grupet kriminale”- tha Dogjani.

Në fillim të seancës Dogjani nuk u la të fliste nga kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, e për pasojë, ai filloi të fliste nga vendi, por pa mikrofon. 

“A e dini që atje po vriten njerëz? Unë kam kërkuar në seancën e kaluar që Kuvendi të mbajë një qëndrim, janë marrë 3 policë peng në Kosovë, kemi një kryeministër që sillet si shefi i OKB-së. Të vijë këtu në Kuvend dhe të japë llogari për draftin që ka dërguar në BE dhe SHBA për konfliktin në Kosovë. Është e turpshme që Kuvendi nuk ka pasur asnjë qëndrim  për situatën në Kosovë, deri në fund të kësaj seance duhet të dalim patjetër me një qëndrim” .

Nga ana tjetër kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla tha se kjo opozitë nuk ja do të mirën Kosovën, por thjesht po e përdor për retorikë politike të ditës së sotme.

“Propozimi ishte të kërkoje debat për situatën në veri të Kosovës. Keqardhje që kemi në sallë ende politikanë që frymëzohen nga të tjerë syresh që sapo hynë dhe që një gjë të gjithë e dimë, as nuk duan t’ia dinë për Kosovën, Shqipërinë, por i duan për tu stërhumbur përsëri këtu mes nesh. Për debatin politik të ditës. Për ta përdorur Kosovën tonë të dashur mish për top, për të gjuajtur kryeministrin, Shqipërinë. Shqipëria nuk ka asnjë dyshim, të paktën sa kohë kemi qenë ne në qeverisje dhe sa kohë do jemi në qeverisje është gjithmonë pranë popullit të Kosovës, pranë interesave të Kosovës. Jemi vend anëtar i organizatës euroatlantike, falë asaj organizate që u bombardua për afro dy muaj Beogradi, Serbia dhe falë asaj organizate kemi sot Kosovën shtet të lirë sovran të pavarur. Shqipëria sot, doni apo jo anti amerikanët, duhet të jetë në një linjë me organizatën euroatlantike. Thua ky do marrë armët dhe do përballet atje. Kosova, populli i Kosovës ka nevojë për Shqipërinë dhe Shqipërinë këtu e ka, por lirinë të mos e harrojmë kurrë që e arritëm në aleancë me SHBA, Britaninë, BE dhe duhet ta vazhdojmë të konsolidojmë”, tha Balla.

“Turp i madh që nuk ka debat për Kosovën”, Spaho: Thikat për ta copëtuar janë mprehur. Vuçiç u takua sot me ambasadorin rus dhe kinez

Deputeti i PD-së Edmond Spaho tha se është turp i madh që Kuvendi sot nuk debaton për Kosovën. Sipas tij, thikat për ta copëtuar janë mprehur dhe ky është skenar ogurzi.

Spaho tha se sot Vuçiç është takuar me ambasadorin rus dhe ambasadoren kineze në Beograd.

“Turp i madh që Kuvendi nuk organizon sot debat për Kosovën. Thikat për ta copëtuar janë mprehur dhe ky është skenar shumë ogurzi. Po nuk folëm sot kur do flasim.

Presidenti i Serbisë sot ka qenë në ambasadën ruse në Beograd, është takuar me ambasadorin rus dhe ambasadoren kineze. Turp i madh që anulohet takimi i dy qeverive në Kosovë, këtë mund ta bëjë vetëm një bashibozuk”, tha Spaho.

“Punonjësit dinjitozë, ëndërr e së shkuarës”, Vasili kritika për administratën publike: Sado të mundoheni, s’e fshihni dot fytyrën e tyre të shëmtuar

Nënkryetari i Partisë së Lirisë, Petrit Vasili ka reaguar ashpër në lidhje me gjendjen e administratës publike, ndërsa shtoi se qindra tendera me shkelje dalin pikërisht me firmat e këtyre punonjësve.

Gjatë fjalës së tij nga foltorja e Kuvendit, Vasili tha mes të tjerash se administrata vuan dhe nga disa mungesa të paplotësuara prej vitesh të punonjësve dinjitozë.

“Verifikimet që bëhen për qindra tendera dhe shkelje, atje gjenden firmat e këtyre punonjësve të administratës.

Me mungesat e mëdha që ende nuk janë plotësuara me vite, ku punonjësit dinjitozë janë një ëndërr e së shkuarës. Sado të sforcuar të jeni, nuk e fshihni këtë fytyrë të shëmuar të punonjësve të administratës.”, tha ai.

Rama mungon, opozita e kërkon në Kuvend: Të vijë të japë llogari për draftin, po dëmton Kosovën

Kryefjalë e seancës së sotme plenare në Kuvendin e Shqipërisë është situata në Veri të Kosovës.

Deputeti i opozitës Oerd Bylykbashi tha se sot kryeministri i Edi Rama duhej të ishte i pranishëm në seancë dhe të jepte llogari se çfarë ka propozuar në draftin për asociacionin. Në vend që Shqipëria t’i dilte në krah Kosovës, deputeti tha se në fakt po e dëmton deklarata më të rënda se ndërkombëtarët.

“Ca po bën qeveria shqiptare. Nuk jemi për atë që është detyra jonë, përfaqësimi i sovranit. Nëse ka një interes që shkruhet që në preambul, është interesi kombëtar. Na udhëzon kushtetua të futemi edhe në aleanca për mbrojte të interesit kombëtar. Duhet të kishim sot kryeministrin për të kuptuar këtë aleancë si e shfrytëzojmë për interes kombëtar. Ku është kryeministri? Konsiderata e tij për parlamentin është zero. Duhej të ishte këtu të jepte llogari për atë që i ka propozuar të tjerëve e jo Kosovës. Veprime që dëmtojnë interesin kombëtar. Interesi ynë kombëtar është në veri të Kosovës. Ky parlament duhet të marrë në llogari kryeministrin. Ky kryeministër është duke vënë në pozitë të vështirë negociuese Kosovën, në vend se të këtë një partner strategjik, aleat të NATO-s të dikojë në interes të saj, ne bëjmë të kundërt, i dëmtojmë. Ne i mbështesim i këshillojmë, por jo duke i vënë në pozitë të vështirë. Po e dëmtojmë Kosovën në negociatë, po i vëmë në pozita të vështira me deklarata më të rënda sesa partneret ndërkombëtarë”, tha Bylykbashi.

Edhe deputeti Asllan Dogjani kërkoi të flasë për çështjen e Kosovës, por kryetarja e parlamentit Lindita Nikolla nuk ia dha fjalën. Dogjani u nxeh dhe u ngrit në Foltoren e Kuvendit dhe kërkon që Kuvendi i Shqipërisë të dalë me një qëndrim për situatën në Kosovë, ku tre policë janë rrëmbyer nga forcat serbe.

Tensione në Kuvendin e Shqipërisë për Kosovën, deputeti i PD-së kërkon qëndrim – Nikolla: Komente të tepërta

Deputeti i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Asllan Dogjani, ka kërkuar që Kuvendi i Shqipërisë të dalë me një qëndrim për sa i përket situatës në Kosovë.

Ai tha se situata në veri të Kosovës ka agravuar, ku përmendi kidnapimin e tre policëve nga forcat speciale të Serbisë.

“Në seancën e kaluar kam kërkuar që Kuvendi i Shqipërisë të dalë me një qëndrim për sa i përket situatës në Kosovë, dhunës së ushtruar nga grupet paramilitare ndaj KFOR-it, Policisë së Kosovës dhe qytetarëve të saj”.

“Sot, situata ka agravuar më tej. Forcat speciale të Serbisë janë futur në Kosovë dhe kanë marrë tre policë peng. Kemi kryeministrin e Shqipërisë i cili sillet si kryetar i OKB-së dhe nuk vjen këtu të japë informacione se çfarë platforme iu ka dërguar francezëve, gjermanëve për vëllezërit tanë në Kosovë”, tha Dogjani.

Atij iu ndërpre fjala nga kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Lindita Nikolla, e cila tha se diskutimi i Dogjanit nuk është në procedurë, teksa komentet e tij i cilësoi si të tepërta.

“Edhe kjo nuk është në procedurë, ju lutem, e bëtë kërkesën tuaj. Tash, këto janë komente tepërta”, tha Nikolla.

Pas ndaljes së fjalës, Dogjani shkoi tek foltorja e kuvendit, ku insistoi ta vazhdojë fjalën, e cila më pas iu dha.

Me tej, Dogjani kërkoi që të mblidhet Komisioni për Politikë të Jashtme të Shqipërisë, dhe në fund të seancës së kuvendit, Shqipëria të dalë me një qëndrim,

“Kërkoj të mblidhet Komisioni për Politikë të Jashtme. Në fund të kësaj seance të dalim me një qëndrim dhe të dënojmë sulmet e Serbisë ndaj policëve të Kosovës. Kuvendi i Shqipërisë s’ka dalë akoma me një qëndrim dhe në fund të kësaj seance duhet të dalim patjetër me një qëndrim”, tha Dogjani.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat