Shoqëroi në komisariat pa arsye dhe e dhunoi duke i shkaktuar dëmtime fizike një shtetas, pezullohet dhe procedohet penalisht polici në Tiranë

Shqipëria

Shoqëroi në komisariat pa arsye dhe e dhunoi duke i shkaktuar dëmtime fizike një shtetas, pezullohet dhe procedohet penalisht polici në Tiranë

Më: 16 qershor 2023 Në ora: 13:05
Policia

Shoqëroi në komisariat pa arsye dhe dhunoi një shtetas duke i shkaktuar dëmtime fizike, pezullohet dhe procedohet penalisht polici në Tiranë.

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Tiranë), pas hetimeve të zhvilluara nën drejtimin e Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, ka ekzekutuar Vendimin datë 11.06.2023 të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, e cila ka caktuar masat “Detyrim për paraqitje në policinë gjyqësore” dhe “Pezullimi i ushtrimit të një detyre apo shërbimi publik” për punonjësin e policisë N. C., 33 vjeç, me detyrë Oficer i Patrullës së Përgjithshme në Komisariatin e Policisë Nr. 4, Tiranë, i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Kryerja e veprimeve arbitrare” dhe “Kallëzimi i rremë”.

Ky punonjës policie, në mosrespektim të atributeve për shkak të funksionit organik, me datë 02.12.2022 ka kryer shoqërimin pa arsye të ligjshme të shtetasit Z. Z., të cilin gjatë kohës së qëndrimit në ambientet e Komisariatit, e ka goditur duke i shkaktuar dëmtime fizike. Gjithashtu, për të manipuluar veprimet e kryera prej tij, ky punonjës policie ka depozituar kallëzim penal ndaj këtij shtetasi për “Kundërshtim të punonjësit të policisë”.

AMP mbetet e përkushtuar në misionin e saj për garantimin e zbatimit të ligjit dhe fton qytetarët të denoncojnë çdo rast të abuzimit apo shkeljes së ligjit nga ana e punonjësve të Policisë së Shtetit, duke telefonuar në numrin e gjelbër 0800 90 90.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat