Përmbytje në disa fshatra në Maliq, frikë dhe panik te banorët

Shqipëria

Përmbytje në disa fshatra në Maliq, frikë dhe panik te banorët

Më: 16 qershor 2023 Në ora: 16:32
Foto ilustrim

Pamje tmerri dhe ujëra që vërshonin nga çdo drejtim, frikë dhe panik për veten dhe bagëtitë. Kjo ishte situata për disa orë gjatë mbrëmjes së të enjtes për banorët e fshatit Zëmblak të bashkisë së Maliqit.

Stuhia e shiut që zgjati për me shumë se 4 orë dëmtoi pritat malore të përrenjve, duke bërë që gjithë ujërat e inertet të mbulonin rrugët e fshatit.

Banorët shprehen se një situatë e tillë nuk ndodhte prej dekadash.

“Tani po çuditem çfarë i ka bërë kështu. Kaq jo, nuk ishte bërë ndonjëherë,” – u shpreh një burrë.

“Unë jam 60 vjeç nuk mbaj mend të ketë dalë kështu, sidomos Zemblaku që është pjerrësiaa që e tërheq. Natyra të tremb, gjithë ai ujë, shiko sa gurë ka sjellë,” – tha një tjetër.

“Shiu erdhi i rrëmbyer nga përroi, dolëm me vonesë, nuk menduam që do binte kaq. Uji është futur në shtëpi, në kuzhinë. Ja shikojeni vet. Si nuk i trembem, nuk na zinte gjumi. Kaq sa jam nuk mbaj mend të jetë bërë ndonjëherë,” – u shpreh një grua.

“Ka akoma ujë brenda në shtëpi, ka lagështirë. Shi i rrëmbyeshëm që do binte për 3 – 4 muaj ja për 4 ore. Është katastrofë. Ne fillim ishte shok. Nuk e di kur do largohet uji nga shtëpia,” – tha një burrë.

Prej mbrëmjes së të enjtes emergjencat civile dhe institucioni i pushtetit lokal ka qenë në gatishmëri totale për të vënë në kontroll situatën. Sipas prefektit të qarkut të Korçës Nertil Jole, me përjashtim të pak banesave ku është futur ujë, nuk ka pasur dëme materiale në banesa apo në bazën ushqimore për bagëtitë.

“Patjetër që problematika ka. Me së shumti janë problematika të materialeve inerte dhe të dëmtimit të disa pritave që do duhet të rivendosen, por fatmirësisht nuk ka pasur dëme në banesa përpos ndonjë dëmi të vogël në dëme materiale, ka pasur një rast në fshatin Shamoll ku është dëmtuar baza ushqimore e një stalle por e krerët nuk kanë pasur dëmtime,” – deklaroi prefekti i qarkut Korçë, Nertil Jole.

Probleme nga stuhia e shiut janë shkaktuar dhe në fshatrat e tjerë rrëzë malit të Moravës si Belortaja, Shamolli, Dishnicë, Plasë dhe Kuç të Zi, ndërkohë që e trishtë ka qenë pamja në varrezat e Zemblakut, të cilat janë mbuluar nga uji.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat