Videoskandali i Safet Gjicit, qeveria nuk ka dorëzuar ende vakancën, Celibashi: Do të kemi një proces zgjedhor nga e para

Shqipëria

Videoskandali i Safet Gjicit, qeveria nuk ka dorëzuar ende vakancën, Celibashi: Do të kemi një proces zgjedhor nga e para

Më: 20 qershor 2023 Në ora: 21:41
Ilirjan Celibashi

Ndonëse Safet Gjicin e shkarkuan në të njëjtën ditë kur iu publikua video seksuale, qeveria duket se nuk e ka me nxitim për të përsëritur zgjedhjet në bashkinë e Kukësit. Këshilli i Ministrave, ende nuk e ka dorëzuar në Presidencë vakancën për t’i hapur rrugë zgjedhjeve të reja.

Kjo vonesë, sipas kryekomisionerit Ilirjan Celibashi heq mundësinë për të bërë zgjedhje në të njëjtën ditë me bashkinë e Rrogozhinës.

“Për Kukësin nuk ka ndonjë afat në lidhje me njoftimin nga Këshilli i Ministrave për krijimin e vakancës. E shoh të vështirë të kombinojnë datat pasi çdo ditë që ikën, heq mundësinë që zgjedhjet të zhvillohen në të njëjtën datë”, tha ai.

Sa i përket Rrogozhinës, KQZ do të shfrytëzojë afatin maksimal në dispozicion për të organizuar zgjedhjet.

“Do duhet të presim edhe shqyrtimin e fundit në Kolegjin Zgjedhor për Kuçovën. Nëse Kolegji do të vendosë brenda kësaj jave mbi këtë çështje, ne do preferonim të merrnim një vendim në fillim të javës tjetër, duke pasur si datë të mundshme 23 Korrik, si një datë të përshtatshme edhe në kuptimin e kohës në dispozicion për të realizuar zgjedhjet”, ka deklaruar ai.

Fushata e kandidatëve duket se vështirësohet më shumë në Kukës.

“Nëse flasim për Rrogozhinën do të kemi të njëjtët kandidatë, të njëjtat subjekte zgjedhore. Ndërsa në rastin e Kukësit, do të kemi një proces zgjedhor nga e para, me kandidatë të rinj, listë të re zgjedhësish”, tha Celibashi.

Kolegji Zgjedhor vendosi për të përsëritur zgjedhjet në Rrogozhinë pasi kutia e burgut u bë përcaktuese për fitoren e socialistëve, ndërsa në Kukës shkak u bë skandali seksual ku u përfshi ish-kryetari Safet Gjici.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat