“Jemi futur në një teatër absurd”, Jonila Godole për zgjedhjet në PD: Procesi i nxituar, baza pret një alternativë të tretë

Shqipëria

“Jemi futur në një teatër absurd”, Jonila Godole për zgjedhjet në PD: Procesi i nxituar, baza pret një alternativë të tretë

Më: 21 qershor 2023 Në ora: 16:46
Pedagogia Jonila Godole

Pedagogia Jonila Godole ka folur sot në News24 në rubrikën Opinion për situatën në Partinë Demokratike dhe vendimin e Këshillit Kombëtar të PD-së zyrtare për të mbajtur më 29 korrik zgjedhjet për kryetar.

Godole theksoi se PD e humbi shansin për të treguar se di të zgjidhë krizën brenda saj dhe nesër do të dijë të zgjidhë krizat për Shqipërinë.

Sipas saj, ishte një proces i nxituar që duhet të ishte bazuar në një konsensus

“Unë e kam thënë mendimin që atë mbrëmje dhe thashë që problemi që unë pata që me atë mbledhje dhe pas asaj është mënyra se si është zhvilluar procesi dhe për mua thjesht nuk kemi të bëjmë me standarde demokratike se si duhet zhvilluar një proces për të cilin kam luftuar për të pasur një garë e cila të ishte e hapur dhe ta çonte PD-në në një reflektim të thellë për atë që i ka ndodhur dhe për të parë se çfarë mund të ofrojë ajo si një alternativë fituese nesër.

Gjithmonë kur shprehem për PD-në dhe atë që duhet të ishte bërë dhe për standardet e munguara demokratike që i shoh dhe që vazhdojnë akoma të thellohen, mungesa e këtyre standardeve, gjithmonë kam pasur në fokus se si PD-ja të jetë fituese. Isha e sigurt se si PD-ja të ishte fituese nëse nuk i djeg etapat me shpejtësi por merr pak kohë për të bërë një analizë se ku gjendet, kush janë anëtarët e saj, cilat janë strukturat që do ta mbështesin në zgjedhjet e 2025, me çfarë programi modern, cili do të jetë ekipi i ri drejtues. Një nga pikat e platformës që unë paraqita ishte që PD-së i duhet një lidership i ri përtej Berishës dhe Bashës, me një frymë krejt të re, i cili jo vetëm t’i flas demokratëve, por edhe një pjese të madhe të elektoratit gri, i cili nuk mbështet PS-në, nuk mbështet politikat e qeverisë, por do diçka ndryshe. Mendoja që nëse PD-ja do kishte pasur më shumë durim, më shumë dialog, do kishim treguar se PD-ja është serioze, di të zgjidhë krizën brenda saj dhe nesër do të dijë të zgjidhë krizat për Shqipërinë, këtë shans e humbi.

Për 1 vit e gjysmë partia ishte inekzistente, kam kërkuar takime, që të kishte aksion opozitar. Ky aksion i është lënë Foltores dhe jam shprehur që lidershipi duhet të mbante përgjegjësi. Kur z. Bardhi foli në pozicionin e sekretarit të përgjithshëm për gjendjen e PD-së, m’u duk një vërejtje mjaft serioze dhe unë isha aty e pranishme dhe e kam mbështetur në mbledhje në kuptimin hajde e shohim, çfarë zgjidhje do gjejmë. Pati disa propozime dhe unë isha për t’u futur në një dialog dhe pastaj cilat propozime qëndrojnë, a mund të dilnim me një platformë konsensuale. Ishte një proces i nxituar që duhet të ishte bazuar në një konsensus. Mjaft me një luftë që e ka fragmentizuar të djathtën, e ka përçarë dhe ishte e momenti kur edhe deputetë dhe kryesia dhe lidershipi i partisë të ishin së bashku dhe secili të hiqte pak nga vetja që të gjendej gjuha e kompromisit dhe gjuha e konsensusit që të krijohej një klimë më e hapur dhe flitej me anëtarësinë, çfarë do anëtarësia. Do kisha shpresuar që ne të dëgjonim anëtarësinë dhe pastaj të hapej procesi i garës”, tha Godole.

Ajo theksoi më tej se një nga këto mënyra ishte që secili heq dorë nga egoizmat e veta personale dhe bëhet bashkë me një kauzë më të madhe që PD-ja të bëhet fituese.

Sa i përket mundësisë për të kandiduar përballë Lulzim Bashës, i cili tashmë e ka dorëzuar kandidaturën e tij për kryetar të PD-së, Godole tha se kriteret u vendosën të tilla që do të ishte përjashtuar.

“Me këtë mënyrë tani si u vendosën kriteret, kush është kandidati, PD nuk është ajo që kisha dëshiruar, por PD-ja do ketë rezultat shumë më të ulët nga ai që pati.

Kur dikush ka mendim ndryshe. Kur dikush afrohet me propozime apo platforma nuk mendohet se do vijë vetë. Bëhet fjalë për një vizion. Edhe sikur një grup të donte, që znj. Godole të kandidonte, kriteret u vendosën të tilla që mua automatikisht do më kishin përjashtuar.

Nuk ka qenë e lehtë dhe për mua në gjithë këtë reflektim, sidomos pas rezultatit të zgjedhjeve dhe me mënyrën si u zhvillua dhe mbledhja e asaj dite, për mënyrën se si nuk ia del dot elita e një partie politike për të gjetur një gjuhë debati të shëndetshme se si të debatohet dhe pastaj të dilet tek idetë.

Platformat duhet të përplasen me njëra-tjetrën dhe aty fillon debati konstruktiv. Nuk ka qenë e lehtë që të mbash një qëndrim, por unë do vazhdoj të jem një zë kritik dhe një mbështetëse e së djathtës”, tha ajo.

Sipas saj, PD-ja nga themelimi i saj deri tani, ka pasur zërat më intelektualë, më të pavarur, me mendimin më kritik që mund të ketë pasur ndonjë parti në Shqipëri. “Gjithë zërat ndryshe ose u dëbuan me forcë, me dhunë, largimin e mocionistëve në 1992, pastaj gjithë të tjerët me kalimin e viteve, kanë ngrënë një lugë çorbë të prishur, janë korruptuar, çdo zë ndryshe që shkon kundër kryetarit të partisë është detyruar të largohet. Është gjëja më e lehtë të largohesh, por me zërin tim kritik flas për një grup mbështetësish”, tha ajo.

Sa i përket rikandidimit të z. Basha, Godole tha se jemi futur në një teatër absurd.

“Kur bëhet fjalë për një kandidat si z. Basha dhe anëtari më i thjeshtë e ka të qartë, nëse një njeri do merrte një biznes, ta ulte xhiron nga 700 mijë në 100 mijë do ishte larguar me vrap, kurse në PD ka ardhur koha që këto të jenë kritere kualifikuese. Jemi futur në një teatër absurd. Baza e ka kuptuar këtë gjë prej kohësh. Baza pret një alternativë të tretë. Më duket si sikur PD-ja kishte dy pronarë dhe tani është ndarë në dy shtëpi me dy pronarë. Më duket ata vetë po e përdorin këtë gjë sepse iu intereson të ruhet status quo-ja e kësaj. Nëse do të kishim pasur një garë, një proces me standarde demokratike, kush është misioni i PD-së sot, përse duhet ta votojnë sot qytetarët, çfarë iu ofron qytetarëve, mbështetësve, grave, diasporës sot?”, tha Godole

Zgjidhja sipas saj është vetëm tek anëtarësia.

“E vetmja zgjidhje që shoh unë tani, mirë do ishte që z. Berisha të ishte larguar, jo vetëm të bënte një hap pas, por të largohej, për të ruajtur disa nga arritjet e PD-së kur ka qeverisur, po ashtu lideri tjetër të vazhdonte të qëndronte i dorëhequr dhe pastaj demokratët do ta kishin gjetur njeri-tjetrin dhe ekipin që do t’i çonte drejt fitores. Unë e shoh zgjedhjen e vetme, një dritë të vogël në fund të tunelit, anëtarësia, jo strukturat, e cila duhet të zgjohet dhe të tundet fortë aty ku është dhe të mos e lërë PD-në të ndahet e copëtohet. Thirrja ime është vetëm për anëtarësinë e PD-së. Nëse ata duan që fëmijët e tyre të mos e braktisin këtë vend, të bëhen pragmatistë e të mendojnë për veten e tyre”, tha Godole.

Ajo deklaroi se nuk do jetë pjesë e asnjë procesi farsë.

“E kam thënë që nuk do jem pjesë e asnjë procesi farsë. Unë po flas për vizionin tim për një parti krejt ndryshe, një parti zero tolerante ndaj korrupsionit. Opozita kishte shansin që të shihte brenda vetes se si të bëhet një forcë e besueshme për të fituar zgjedhjet nesër. Unë e kam të qartë se si bëhet PD-ja dhe Shqipëria. Do kisha dashur që grupi i deputetëve të ishin më aktivë, të kishin një platformë të qartë.

Mirë do kishte qenë që gara të ishte e hapur dhe demokratike. Në çastin që u hap, ashtu siç u hap, por a e bën PD-në fituese? Unë mendoj që jo. Mendoj a do i ketë 4 apo 5 deputetë. Mendoj që një dialog më i ngushtë mes strukturave dhe anëtarësisë do ishte ajo që duhet”, tha ndër të tjera Godole.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat