Theu masën e arrestit shtëpiak me qëllim që mos të kthehej në qeli, në pranga 42 vjeçari në Mat

Shqipëria

Theu masën e arrestit shtëpiak me qëllim që mos të kthehej në qeli, në pranga 42 vjeçari në Mat

Më: 23 qershor 2023 Në ora: 08:12
Foto ilustrim

Një 42 vjeçar në Mat është arrestuar nga policia pasi ishte arratisur nga banesa e tij pasi gjykata i ndryshoi masën e sigurisë nga ‘arrest shtëpiak’ në ‘arrest me burg’.

Në pranga ka rënë Armando Gjonaj i akuzohet për kultivimin e 1100 rrënjë kanabisi. 42 vjeçari në mars të këtij viti ishte arratisur nga banesa e tij ku po vuante dënimin e ‘arrestit shtëpiak’. I arrestuari, në bashkëpunim me disa persona të tjerë të arrestuar më parë nga Policia, është bashkautor i disa rasteve të kultivimit të bimëve narkotike të konstatuar dhe asgjësuar nga Policia në vitin 2019, në rrethin Mat.

Njoftimi i policisë:

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Mat, në vijim të punës për kapjen e personave të shpallur në kërkim dhe vënien e tyre para organeve ligjzbatuese, lokalizuan vendndodhjen e njërit prej tyre dhe ekzekutuan masën sigurisë e lëshuar nga Gjykata e Apelit Tiranë, e cila pas hetimeve në kuadër të operacionit “Ulëza”, ka vendosur ndryshimin e masës së sigurisë për shtetasin Armando Gjonaj, nga “Arrest në shtëpi” në “Arrest në burg”, për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”. Ky shtetas duke qenë me masë sigurie “Arrest në shtëpi”, me datë 30.03.2022, gjatë kontrollit të ushtruar nga shërbimet e policisë për ekzekutimin e ndryshimit të masës së sigurisë, është larguar nga banesa duke thyer masën e sigurisë. 42-vjeçari, në bashkëpunim me disa persona të tjerë të arrestuar më parë nga Policia, është bashkautor i disa rasteve të kultivimit të bimëve narkotike të konstatuar dhe asgjësuar nga Policia në vitin 2019, në rrethin Mat. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër, për veprime të mëtejshme.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat