“Ndërhyrja e Ramës, negative dhe për të shfajësuar Vuçiçin”- Deputeti i PD flet për draftin e propozuar nga kryeministri shqiptar

Shqipëria

“Ndërhyrja e Ramës, negative dhe për të shfajësuar Vuçiçin”- Deputeti i PD flet për draftin e propozuar nga kryeministri shqiptar

Më: 25 qershor 2023 Në ora: 13:06
Edi Rama dhe Aleksandër Vuçiq

Deputeti i Partisë Demokratike, Tritan Shehu e shikon ndërhyrjen e Ramës në çështjen Kosovë-Serbi, si negative dhe për të shfajësuar Vuçiçin.

Në një intervistë për “Panorama TV”, Shehu shprehet se drafti i propozuar nga Rama për asociacionin e komunave serbe është konsultuar me Vuçiçin dhe jo me Kurtin, duke theksuar se kjo është bërë për të sfumuar autonominë e Kosovës.

Ndërsa sa i takon qëndrimit të Albin Kurtit, Tritan Shehu tha se duhet të jetë më bashkëpunues dhe më i  lidhur me partnerët ndërkombëtarë.

“Kryeministri Albin Kurti duhet të jetë më bashkëpunues dhe më i  lidhur me partnerët, SHBA, NATO dhe BE. Pra në koordinimin e veprimeve. Në parim në tërësi ka vepruar pozitivisht. Agresori është Serbia. Nuk mund të dënojmë Kosovën kur agresori është Serbia.

Qeveria e Kosovës duhet të sjellë platformën e    qartë për asociacionin e komunave serbe në veri të Kosovës. Nuk vjen asgjë e keqe nga dhënia e disa të drejtave komuniteteve minoritare. Pa dyshim në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe vendimeve të Gjykatës Kushtetuese. Sa më shumë të vonohet qeveria e Kosovës me daljen e një platformë të qartë për këtë gjë, aq më shumë krijohen shteg për keqinterpretime, por edhe për veprime si bëri Rama absurde të papërshtatshme që nxori një draft pa u konsultuar me Kosovën, duke kërkuar të sfumojë autonominë e Kosovës dhe jam i bindur se ai draft ka qenë i konsultuar me Vuçiçin dhe jo me Kurtin.

Ndërhyrja e Ramës është negative dhe ka qenë për të shfajësuar Vuçiçin dhe për të fajësuar Kosovën. Shqipëria duhet të ruajë marrëdhënie shtetërore me Serbinë”, tha Shehu.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat