Bie ndjeshëm numri i studentëve, universiteti “Fan Noli” i Korçës bashkohet me atë të Tiranës

Shqipëria

Bie ndjeshëm numri i studentëve, universiteti “Fan Noli” i Korçës bashkohet me atë të Tiranës

Më: 25 qershor 2023 Në ora: 19:16
Foto ilustrim

Numri i ulët i studentëve duket se po ndikon në “shkrirjen” e disa universiteteve apo fakulteteve në Shqipëri.

Së fundmi ka qenë universiteti i Korçës, për të cilin është vendosur të bashkohet me atë të Tiranës.

Rektori i universitetit të Korçës Fan S. Noli, Dhimitër Bello, ka deklaruar se senati i këtij universiteti ka vendosur para dy ditësh bashkimin e universitetit të Korçës me atë të Tiranës.

Ky vendim sipas rektorit, është votuar plotësisht nga pedagogët e senatit.

Bello ka thënë se pavarësisht bashkimit me universitetin e Tiranës, logoja e universitetit të Korçës mbetet. E gjithë kjo ka ardhur për shkak të situatës të rëndë të krijuar në universitetin e Korçës, universitet që nga njëri vit në tjetrin ka një numër më të vogël studentësh.

Bello është shprehur se gjatë kësaj periudhe janë bërë të gjitha përpjekjet për marrëveshje dhe ndërkombëtarizim të këtij universiteti, por deri tani nuk është arritur një gjë e tillë.

Në këto kushte, e vetmja rrugëzgjidhje ishte bashkimi me universitetin e Tiranës. Bello ka thënë se në senatin e universitetit të Tiranës do të jenë edhe përfaqësues të universitetit të Korçës. Në universitetin e Korçës ka 4 fakultete dhe studiojnë 3000 studentë. Programet më të kërkuara janë ato të fakultetit ekonomik, infermieri – mami, dhe sportet.

Më herët, në fillim të vitit akademik 2022-2023, Bello është shprehur për median se janë regjistruar vetëm 450 studentë të rinj në degët e Infermierisë apo programet 2-vjeçare si ai i edukimit Fizik dhe Sporteve.

Pas njoftimit të rektorit, i pari që ka reaguar ishte Niko Peleshi, ministër i mbrojtjes dhe drejtuesi politik i qarkut të Korçës duke thënë se universiteti “Fan Noli” duhet të jetë një institucion prestigjioz i arsimit të lartë, pa e humbur identitetin dhe emrin e nderuar që mban.

“Sfidat e sotme duhet të na nxisin të rishpikim veten në përputhje me kohën, duke identifikuar avantazhet konkuruese dhe modelet më të mira botërore. Fataliteti dhe kapitullimi nuk duhet të jenë kurrsesi një opsion”, ka shkruar Peleshi në rrjetin social Facebook.

Peleshi ka dhënë edhe disa ‘zgjidhje’ për degët që nuk preferohen nga studentët duke thënë se “një përpjekje e fortë për korrigjimin e “tregut” apo thënë ndryshe, e rënies së interesit për disa degë të qenësishme si agronomia apo shkencat ekzakte, është vendosja e pagesës prej 40 mijë lekë të reja për të gjithë studentët e këtyre degëve. Kjo politikë duhet promovuar për të maksimizuar rezultatin në rritjen e regjistrimeve në shtator”.

Gjithashtu, Peleshi thotë edhe se një mundësi tjetër që universitetet të bëhen më tërheqëse për studentët është ndërkombëtarizimi i tyre.

Pas deklaratës së rektorit Bello se “janë bërë të gjitha përpjekjet për marrëveshje dhe ndërkombëtarizim të këtij universiteti, por deri tani nuk është arritur një gjë e tillë”, Peleshi thotë se një fond i madh, më i madh se kërkesat e universiteteve, është vënë në dispozicion nga Ministria e Arsimit, për të mbështetur programet e ndërkombëtarizimit të universiteteve.

“Nga të gjitha kontaktet që kam bërë për këtë qëllim, kam kuptuar se interesi për bashkëpunim i disa universiteteve prestigjioze europiane është i madh, madje më duket më i madh se vullneti i universiteteve tona”, ka shtuar ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat