13 zyrtarë të policisë së Shkodrës nën hetim për favorizim të kultivimit të bimëve narkotike

Shqipëria

13 zyrtarë të policisë së Shkodrës nën hetim për favorizim të kultivimit të bimëve narkotike

Më: 25 qershor 2023 Në ora: 19:30
Policia e Shkodres

13 zyrtarë dhe ish zyrtarë të Drejtorisë së Policisë së Shkodrës po hetohen nën dyshimin e favorizimit të kultivimit të bimëve narkotike. Ndaj dy prej tyre, gjykata mori sot masën “Arrest shtëpie”, ndërsa për 11 të tjerë, ndalim të daljes jashtë shtetit dhe pezullim të ushtrimit të detyrës. Qarku i Shkodrës vazhdon të jetë një ndër zonat më problematike përsa i përket kultivimit të bimëve narkotike.

Pas një hetimi disa mujor, për kultivimin e bimëve narkotike në Qarkun e Shkodrës, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore në bashkëpunim me Prokurorinë e Shkodrës, ekzekutuan gjatë ditës së djelë masat e sigurisë për 13 zyrtarë dhe ish-zyrtarë të Policisë së Shkodrës.

Ndaj tyre janë administruar prova dhe fakte, që ngrenë dyshime se, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë favorizuar kultivimin e bimëve narkotike në Njësinë Administrative “Ana Malit”, fare pranë qytetit të Shkodrës dhe pikëkalimit kufitar të Muriqanit, në kufirin me Malin e Zi.

Zyrtarët e policisë së Qarkut të Shkodrës akuzohen se kanë neglizhuar me dashje marrjen e masave të domosdoshme për parandalimin, evidentimin e kultivimit dhe vënien para përgjegjësisë penale të autorëve dhe bashkëpunëtorëve të tyre, duke krijuar kështu kushte të favorshme për largimin e tyre.

Gjykata e Shkallës së Parë në Shkodër ka caktuar masat e sigurimit personal “Ndalimi i daljes jashtë shtetit” dhe “Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” ndaj 11 punonjësve të policisë pranë Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër. Mes tyre janë zv drejtori për hetimin e krimit, ish shefi i komisariatit të policisë Shkodër, aktualisht me detyrë shef i rendit në DVP Tiranë, shefi i sektorit të policimit në komunitet si dhe shefi i sektorit për hetimin në Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore, Rajoni Shkodër.

Një masë më e rëndë sigurimi u dha sot nga gjykata për Shefin e Seksionit për Hetimin e Krimit pranë Komisariatit të Policisë Shkodër, Pëllumb Shpati dhe Ndihmës Specialistit të Policimit në Komunitet, inspektorit Taulant Kurtaj. Për ta, gjykata mori masën e sigurisë “Arrest shtëpie” për shkak të dyshimeve për shpërdorim të detyrës, e kryer në bashkëpunim si dhe “Përkrahje te autorit të krimit”.

Në janar të këtij viti, shefit të seksionit të krimeve në policinë e Shkodrës, Pëllumb Shpatit, ju vendos në banesë lëndë shpërthyese ‘tritol’ nga persona ende të paidentifikuar.

Si pasojë e shpërthimit pati vetëm dëme materiale, ndërsa zoti Shpati dhe familjarët e tij deklaruan se ngjarja kishte lidhje me detyrën si shef i seksionit të krimit.

Përfshirja e 13 zyrtarëve dhe punonjësve të Drejtorisë së Policisë së Shkodrës dëshmon mungesën e efektivitetit të policisë në luftën ndaj kultivimit të bimëve narkotike në Shkodër, Malësi të Madhe, Vau Dejës dhe Pukë.

Rajoni i Shkodrës vazhdon të mbetet një nga zonat më të prekura nga kultivimi i bimëve narkotike. Në mars, në afërsi të qytetit të Koplikut u zbuluan 27 sera me rreth 8000 fidanë të bimës narkotike cannabis sativa. Ndërsa në muajin qershor u zbuluan edhe 6 sera të tjera me cannabis në zonën e Velipojës./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat