“Vettingu i politikanëve i jep fund përbaltjes e korrupsionit”, Basha takim me strukturat e PD në Tiranë: Ne ndahemi nga mentaliteti i turmës!

Shqipëria

“Vettingu i politikanëve i jep fund përbaltjes e korrupsionit”, Basha takim me strukturat e PD në Tiranë: Ne ndahemi nga mentaliteti i turmës!

Më: 27 qershor 2023 Në ora: 17:58
Ish-kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha

Ish-kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha, ka zhvilluar takime me strukturat e PD në degën 4 në Tiranë.

Basha thekson se Partia Demokratike është partia e parë opozitare dhe partia e shpresës së shqiptarëve.

Gjithashtu shton se PD do të bëjë ndarjen e qartë dhe përfundimtare të së ardhmes nga e shkuara.

“Partia Demokratike është partia e parë opozitare, partia e shpresës shqiptare dhe pa asnjë diskutim i takon të rikthehet në vendin që i ka dhënë historia dhe shqiptarët, sigurisht në një aleancë të fortë me SHBA, Britaninë e Madhe dhe BE. Ne do të bëjmë ndarjen në mënyrë të qartë dhe përfundimtare të së ardhmes nga e shkuara. Për ne nuk ka bashkëfajtorë dhe bashkëvuajtës! Jemi shumë të vonuar në procesin e rinovimit të partisë. E për këtë unë e pranoj përgjegjësinë time. Do të vendosim energjinë e rinisë përpara dhe pjekurinë e mençurinë e përvojës si mbështetje ndaj saj.

Ne ndahemi nga mentaliteti i turmës, ku fajet bëhen kolektive për t’i ikur përgjegjësisë. Ata që shkelin ligjin dhe abuzojnë me pushtetin janë thjesht fajtorë. Vetting-u i politikanëve është kontributi më i rëndësishëm që gjithkush që e konsideron veten të pastër mund të japë për një politikë të pakorruptuar dhe inkriminuar, që i jep fund politikës së përbaltjes.

Kjo përballje nuk është aspak e lehtë. Ata kanë kaluar 32 vjet me pushtet dhe janë bashkë për të ruajtuar status quo-në.  Por, siç e dëshmon historia, atëherë kur duken më të fortë, perandoria e tyre shembet më shpejt.

Me besimin tuaj do të jem kryetari i Partisë Demokratike dhe politikani që jep një model ndryshe nga ai konfliktual, me të cilin qytetarët janë mbingopur gjatë tranzicionit. Do të jem politikani që problemet personale të pushtetit, nuk i kthen në problemin e partisë, aq më pak të Shqipërisë. Modelin e kam dhënë edhe gjatë kësaj kohe, tekas shumëkush nuk ka qenë dakord, unë nuk i jam përgjigjur baltës me baltë. Në fund të fundit, ky është modeli që refuzojnë shqiptarët dhe nga i cili përfiton kundërshtari ynë. Ky është misioni i ri i Partisë tonë. Një parti moderne, që reflekton kohën, shoqërinë dhe nevojat e saj, që respekton kontributet, garanton karrierën, forcon meritokracinë, e hapur ndaj të rinjve dhe mendimeve të reja. Ky është modeli që duhet t’u japim shqiptarëve, si shembull i ndryshimit që po ndërmarrim për Shqipërinë”, ka theksuar më tej Basha.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat