Katër familjarë të deputetes Ermonela Felaj në të njëjtën prokurori, Stojani në KLP: Krijojnë pol të fuqishëm dhe ndikues!

Shqipëria

Katër familjarë të deputetes Ermonela Felaj në të njëjtën prokurori, Stojani në KLP: Krijojnë pol të fuqishëm dhe ndikues!

Më: 28 qershor 2023 Në ora: 17:04
Sokol Stojani

Anëtarja e 4 e familjes së deputetes socialiste Ermonela Felaj, është një hap larg emërimit në prokurorinë e Tiranës, institucion ku ndërkohë ushtrojnë detyrën, bashkëshorti i deputetes Bledar Valikaj, vëllai i saj Armando Felaj dhe kunata Alma Felaj.

Së fundi edhe motra e deputetes socialiste, prokurorja Eranda Felaj, kandidon për 3 pozicione vakante në prokurorinë e Tiranës dhe është renditur e para, por disa nga anëtarët e qeverisë së prokurorisë shprehen shqetësim ne lidhje me emërimin e saj.

Njëri prej tyre ishte anëtari Sokol Stojani; “E kam me merak se katër vetë familjarë në një prokurori është ‘too much’.

“Kemi të bëjmë me shumë njerëz brenda familjes. meraku im është perceptimi që krijohet se një familje ushtron funksionin në një institucion”.

Anëtarja Eloida Goxha, relatore e çështjes tha se prokurorja Felaj ka dorëzuar deklaratë përmes së cilës shprehet se nuk ka papajtueshmëri ambientale.

Por sërish Stojani këmbëngul se kjo çështje duhet parë me gjerë. I pyetur nga kreu i KLP-së Alfred Balla, nëse meraku i tij është moral apo ligjor, anëtari Stojani dha këtë shpjegim.

Mund të krijojnë një pol tjetër dhe të krijojnë disekuilibra brenda prokurorisë.

Shqetësim ngriti edhe Nurihan Seiti e cila u shpreh se nuk e kupton sesi prokurorja e di që në të njëjtin institucion ka kunatin vëllain, etj, dhe sërish bën kërkesën.

Anëtari Bujar Sheshi u shpreh se ndryshimet e ligjit ne 2021 bënë të mundur një gjë të tillë, pasi më herët ndalohej kategorikisht.

Ligji për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë i miratuar në 2016 si pjesë e paketës së reformës në drejtësi, parashikoi shmangien e nepotizmit në sistemin e drejtësisë. Në të njëjtin institucion ndalohej të ushtronin detyrën bashkëshorti bashkëjetuesi ose të afërmit e magjistratit deri në shkallën e dytën, për të shmangur papajtueshmërinë ambientale. Ligji pësoi ndryshime ndër vite dhe i fundit ka qenë ai i vitit 2021.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat