Mbrojtja e fëmijëve të rrugës/ Bashkia e Tiranës merr masa për parandalimin e këtij fenomeni, ngrihen grupe të posaçme pune

Shqipëria

Mbrojtja e fëmijëve të rrugës/ Bashkia e Tiranës merr masa për parandalimin e këtij fenomeni, ngrihen grupe të posaçme pune

Më: 4 korrik 2023 Në ora: 12:57
Foto ilustrim

Nisur nga fenomeni i fëmijëve në situatë rruge, situatë e cila i ekspozon fëmijët ndaj formave të dhunës, abuzimeve, shfrytëzimit dhe trafikimit, Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë, në bashkëpunim me Bashkinë e Tiranës, ka hartuar një plan masash të përbashkët, për parandalimin dhe trajtimin e këtij fenomeni, në kryeqytet.

Ky plan masash ka si qëllim mbrojtjen e fëmijëve nga të gjitha format e keqtrajtimit dhe shfrytëzimit në situatë rruge, identifikimin dhe dhënien e ndihmës së menjëhershme, si dhe referimin e rasteve në organet kompetente.

Gjithashtu ka si qëllim përmirësimin e bashkëpunimit ndërinstitucional për parandalimin e fenomenit të lypjes nga fëmijët, në rrugë, rritjen e ndërgjegjësimit të gjithësecilit për këtë fenomen, si dhe zbatimin e ligjit për procedimin penal të prindërve ose të kujdestarëve ligjorë të fëmijëve, nëse do të konstatohen raste të shfrytëzimit të tyre.

Në kuadër të këtij plani masash janë ngritur grupe pune të posaçme me punonjës të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë dhe të komisariateve në varësi të saj, të Skuadrave të Terrenit të Shërbimeve Sociale dhe të Bashkisë Tiranë, të cilët kanë një rol kyç në ecurinë e këtij procesi.

Këto grupe pune po monitorojnë terrenin, me qëllim identifikimin, vlerësimin e nevojave, dhënien e ndihmës së menjëhershme, referimin e rasteve dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të personave përgjegjës.

Kontrollet kundër kësaj paligjshmërie, do të vijojnë.

Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë fton qytetarët që nëse do të konstatojnë raste të fëmijëve në situatë rruge, të telefonojnë në numrat pa pagesë 112 (Policia) dhe Alo 116-111 (Linja e Këshillimit për Fëmijët). Gjithashtu apelon për të gjithë prindërit dhe kujdestarët e fëmijëve që të mos i shfrytëzojnë ata për këtë aktivitet, pasi do të përballen me ligjin.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat