Zbardhen pamjet nga gurorja në Krujë, “molla e sherrit” mes banorëve të Borizanës dhe fisit Rraja! Policia bllokon aktivitetin

Shqipëria

Zbardhen pamjet nga gurorja në Krujë, “molla e sherrit” mes banorëve të Borizanës dhe fisit Rraja! Policia bllokon aktivitetin

Më: 8 korrik 2023 Në ora: 18:21
Foto nga vendi i ngjarjes

Pamjet që shihni mësipër vijnë nga gurorja në Krujë, “molla e sherrit” mes banorëve të Borizanës dhe fisit Rraja, përplasja mes së cilëve degradoi në dhunë fizike, duke lënë dy persona të plagosur.

Top Channel mëson se në këtë zonë është pezulluar puna dhe forcat policore nga DVP Tirana kanë bllokuar aktivitetin pas konfliktit.

Më 6 korrik, në një lokal në aksin Fushë Krujë-Thumanë, familjarët e Rrajës, goditën me sende të forta dhe kërcënuan me armë Bilbil Majën dhe Jashar Majën, të cilët kërkonin zbutje të minave që përdoreshin në gurore, pasi u ka dëmtuar banesat e tyre.

Përplasja ndodhi në një lokal, teksa ata ishin duke biseduar me një prej punonjësve të minave në gurore, për t’i kërkuar zbutje të agresivitetit. Diskutimi ka përfunduar në konflikt, ndërsa Xhelal e Përparim Rraja dhe disa persona të tjerë i dhunuan vendasit me shkopinj dhe tyta pistolete.

Një ditë më parë, Policia e Shtetit ka shoqëruar Ineid Rraja, Eni Kullaj, Kujtim Përdaku dhe Andi Rraja, për veprat penale “Plagosja e rëndë me dashje”, “Mbajtja pa leje e armëve të zjarrit”, “Moskallëzimi i krimit” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës”. Sakaq është shpallur në kërkim djali i ish- deputetit Partisë Socialiste, Rahman Rraja, Rexhepi.

Më herët, Rahman Rraja dha dorëheqjen nga mandati i deputetit, pas dhunës së ushtruar nga familjarët e tij ndaj banorëve të Borizanës. Duke iu kërkuar falje për zhgënjimin qytetarëve që e kanë votuar dhe kolegëve që e mbështetën, Rraja njoftoi tërheqjen nga jeta politike.

I turpëruar nga incidenti në Borizanë, Rraja i kërkoi të birit, Rexhep Rrajës, që të dorëzohet në polici. “Zoti më dhëntë forcë të përballoj këtë dhimbje dhe të shlyej këtë turp që më la im bir”- u shpreh ndër të tjera Rraja në deklaratën e dorëheqjes.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat