5 vite me detyrim në Shqipëri, Ministrja Kushi prezanton projektligjin për studentët e mjekësisë

Shqipëria

5 vite me detyrim në Shqipëri, Ministrja Kushi prezanton projektligjin për studentët e mjekësisë

Më: 11 korrik 2023 Në ora: 12:25
Foto nga vendi i ngjarjes

Ministrja e Arsimit Evis Kushi ka prezantuar projektligjin për studentët e ekonomisë në Komisioni për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë.

Kushi tha se projektligji ka qëllim parandalimin e largimit të mjekëve dhe për të plotësuar nevojat e personelit mjekësor në Shqipëri.

Kushi tha se ata maturantë që do të fitojnë të drejtën për tu regjistruar në Fakultetin e Mjekësisë, përpara regjistrimit do të nënshkruajnë një marrëveshje me MSHMSH, MAS dhe UMT, për të pranuar që të punojnë 5 vite pas diplomimit në institucionet shëndetësore shqiptare dhe për të tërhequr më pas diplomën pas përmbushjes së këtij detyrimi.

Për përshpejtimin e këtij projektligji, Kushi tha se duhej për t’ i dhënë kohës studentëve të cilët duan të zgjedhin degën e mjekësisë këtë vit të ri akademik.

Për të parandaluar largimin e mjekëve dhe për të plotësuar nevojat që kanë institucionet tona shëndetësore, për të mbuluar nevojat, por edhe në një periudhë jo vetëm sot, por për t’i paraprirë një problematike që mund të jetë dhe më e theksuar në vitet në vijim, kemi sjellë sot këtë projektligj para jush, i cili konsiston në trajtimin e veçantë të studentëve që ndjekin programin e integruar të ciklit të dytë Mjekësi e Përgjithshme.

Projektligji parashikon që studentët ose më saktë kandidatët për studentë që kanë fituar tashmë të drejtën, bëhet fjalë kur të fitojnë të drejtën në muajin gusht, pas konkursit, sepse siç e dini është shtuar edhe provimi i digjitalizuar përveç rezultateve në tre vitet e studimeve në gjimnaz, por edhe provimeve të maturës, ne kemi shtuar në muajin gusht edhe provimin e digjitalizuar që do të ketë peshën 30% në renditjen e përgjithshme.

Dhe të gjithë ata kandidatë, ata maturantë që do të fitojnë të drejtën për tu regjistruar në Fakultetin e Mjekësisë, përpara regjistrimit do të nënshkruajnë një marrëveshje me MSHMSH, MAS dhe UMT, për të pranuar që të punojnë 5 vite pas diplomimit në institucionet shëndetësore shqiptare dhe për të tërhequr më pas diplomën pas përmbushjes së këtij detyrimi.

Ndërkohë që për studentët që janë aktualisht në sistem, që do të thotë nga viti i dytë deri në vitin e gjashtë, para shikohen dy alternativa. Alternativa e parë është që edhe këta studentë është që të nënshkruajnë një marrëveshje përsëri me UMT, dhe dy ministrisë, për të qëndruar respektivisht nga viti i dytë deri në vitin e katërt, tre vite pas diplomimit, ndërsa studentët e vitit të pestë dhe të gjashtë dy vite pas diplomimit për të punuar edhe ata në institucionet tona. Dhe për ta tërhequr diplomën pas shlyerjes së këtij detyrimi.

Ndërkohë që alternativa e dytë që u paraqitet studentëve që janë aktualisht në sistem, pra nda viti i dytë deri në vitin e gjashtë, është që nëse ata nuk pranojnë të nënshkruajnë këtë marrëveshje, pra nëse nuk do duan që pas diplomimit të qëndrojnë për dy apo tre vite në Shqipëri, ata do të paguajnë koston e plotë të studimeve por për vitet që kanë mbetur.

Ligji nuk do të ketë efekte prapavepruese, por për vitin ri akademik dhe për të gjitha vitet që i kanë mbetur deri në diplomim do të paguajnë koston.

Ndërkohë cili është trajtimi i veçantë, ku konsiston ligji, pra çfarë u ofrohet këtyre studentëve që do të pranojnë të nënshkruajnë marrëveshjen.

Së pari, do të kenë të drejtë punësimi prioritare në institucionet shëndetësore, dhe së dyti, do të përfshihen me prioritet në programet sociale të strehimit. Në rast se brenda një viti pas lindjes së këtij detyrimi, pra pas diplomimit, studentët ose të diplomuarit nuk do të arrihet që të punësohen në institucionet brenda Shqipërisë ata do të konsiderohet që i kanë përmbushur detyrimet dhe menjëherë do të pajisen me diplomën e tyre dhe më pas janë të lirë që të zgjedhin që të qëndrojnë në Shqipëri apo të largohen sipas preferencave të tyre. Ndërkohë që projektligji e parashikon edhe periudhën e specializimeve si periudhë punësimi.

Në rast se kuotat janë të pa mbuluara nga MSHMS atëherë të gjitha vitet e specializimit do të konsiderohen si punësim, dhe mund të ndodhë që menjëherë pas specializimit ata të jenë të lirë të kenë përmbushur, pra në varësi të kohëzgjatjes së specializimit, ndërkohë që nëse kuotat janë të mbuluara nga MSHMS, atëherë këta studentë kanë një marrëveshje tjetër që tashmë është në fuqi. Përpara specializimit ata nënshkruajnë me MSHMS një marrëveshje dhe kanë detyrimin që të respektojnë vetëm këtë marrëveshje. Pra nuk kanë detyrime të tjera përveç marrëveshjes që aktualisht është në fuqi midis specializantëve me kuota të mbuluara dhe MSHMS.

Projektligjin e kemi propozuar me procedurë të përshpejtuar për arsye se siç thashë pak më parë në muajin gusht kandidatët për studentë, maturantë që duan të vazhdojnë për programin Mjekësi e Përgjithshme do të kenë provimin e digjitalizuar. Dhe projektligji parashikon që këta maturantë që përpara këtij provimi, që kur aplikojnë për të zhvilluar këtë provim, duhet të pranojnë kushtet e paraqitura nga UMT dhe kushtet që rrjedhin nga ky projektligj.

Prandaj për këtë arsye ne duhet ta kalojmë me procedurë të përshpejtuar, në mënyrë që maturantët përpara se sa të vendosin për të zgjedhur programin Mjekësi e Përgjithshme, t’i njohin të gjitha kushtet që lindin si rezultat i regjistrimit në këtë program.

Ndërkohë që efektet e këtij projektligji janë parashikuar që prej vitit të ri akademik, 2023-2024, dhe deri në vitin 2027-2028. Ligjin e kemi konsultuar edhe me studentët, edhe mjekët, përfaqësues të sistemit shëndetësor, arsimor, sigurisht edhe me ekspertë ligjorë, për të qenë në përputhje të plotë në respekt të kushtetutës, por edhe të të gjitha të drejtave që kanë studentët dhe të gjitha ligjet që janë në fuqi.”-tha ministrja Kushi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat