Taulant Balla betohet sot si ministër i Brendshëm

Shqipëria

Taulant Balla betohet sot si ministër i Brendshëm

Më: 15 korrik 2023 Në ora: 09:41
Taulant Balla

Taulant Balla do të betohet sot si ministër i Brendshëm. Ceremonia e betimit të  Taulant Ballës në detyrën e Ministrit të Brendshëm do të mbahet sot në orën 11:00 në Presidencë.

Kuvendi miratoi më 13 korrik, me 75 vota pro, 16 kundër, 1 abstenim emërimin e Taulant Ballës në postin e lënë bosh nga Bledi Çuçi pas shkarkimit të këtij të fundit më 7 korrik nga Kryeministri Edi Rama, pas ngjarjes së rëndë që ndodhi në Fushë Krujë dhe Borizanë.

Përmes një postimi në rrjetin social facebook Balla deklaroi se do të bëj gjithçka të mos zhgënjej askënd në kryerjen me sukses të detyrës së Ministrit të Brendshëm në Qeverinë e Kryeministrit Edi Rama.

Ndryshimi i beftë në qeveri në këto ditë të nxehta ndodhi për shkak të skandalit ndërsa të afërmit e një deputeti socialist rrahën barbarisht dy banorë të Borizanës ne Krujë. Çuçi iku nga detyra bashke me deputetin Rrahman Rraja i cili dje i dorëzoi Taulant Ballës dorëheqjen nga mandati i deputetit. Kryeministri Rama nuk vonoi, por emëroi për ministër të Brendshëm kreun e grupit kuvendor socialist, Taulant Balla.

Balla është deputet i Qarkut Elbasan dhe drejtues politik për Partine Socialiste në Qarkun Fier. Më herët ka drejtuar qarkun e Elbasanit ku ka marrë edhe rezultatin më të mirë elektoral në zgjedhjet e 2017 dhe 2021 si për socialistët por edhe vetë si deputet rezultoi më i votuari në rang kombëtar.

Balla ka hyrë në politikë që në moshë të re, ka përfunduar studimet për shkenca politike dhe marrëdhënie ndërkombëtare, për t’ju bashkuar kabinetit të Kryeministrit Fatos Nano 2003-2005. Prej vitit 2005 e deri ne 2013 ishte një nga emrat kryesore te aksionit opozitar socialist. Pas fitores së zgjedhjeve të 2013-të nga socialistet Balla vijoi aktivitetin si drejtues politik dhe si drejtues i grupit parlamentar socialist ne kuvend. Ai ishte i vetmi drejtues i lartë socialist që deri dje nuk kishte mbajtur asnjë post ministror.

Ne rolin si kreu i grupit parlamentar socialist Taulant Balla ishte edhe zëri kryesor i mazhorancës në kuvend në përballjet e vështira me opozitën ne Kuvend, por edhe në sigurimin e votave mbështetëse për miratimin e ligjeve apo vendimeve te rëndësishme. Opozita nuk i ka kursyer asnjëherë sulmet ndaj Taulant Ballës, por duhet theksuar fakti se ne shumicën e rasteve Taulant Balla i ka ndjekur këto akuza ne Gjykatë dhe Prokurori, ku dhe ka fituar deri me tani në disa raste, ku kujtojmë rastin ndaj ish-kryetarit te PD Lulzim Basha, i cili u dënua nga gjykata për shpifje. Emërimi i Taulant Ballës në krye te Ministrisë së Brendshme si një figure e rëndësishme politike tregon se PS letkon një ndryshim te madh ne këtë sektor të vështirë, ku dhe pritshmëritë e qytetareve janë shume te larta.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat