Zgjedhje të reja në Rrogozhinë, Veliaj: Votoni drejt, mos e çoni vite pas qytetin

Shqipëria

Zgjedhje të reja në Rrogozhinë, Veliaj: Votoni drejt, mos e çoni vite pas qytetin

Më: 18 korrik 2023 Në ora: 15:13
Erion Veliaj

Pak ditë para ripërsëritje së zgjedhjeve në Rrogozhinë, drejtuesi politik i Partisë Socialiste për Qarkun e Tiranës, Erion Veliaj u takua me Asamblenë e PS-së atje.

“Është shumë i rëndësishëm besimi që ka një skuadër. Në këtë fushatë kam vënë re se skuadra jonë shumë ka besim, është e vendosur dhe pavarësisht se ka një kundërshtar, i cili mund të ketë më shumë para, që mund të tallet duke thënë se ‘unë, ata të Rrogozhinës i bëj si keca’, që mund të ketë në mbështetje drejtorët, deputetët dhe kryeministrat e rënë prej vaktit, fushata jonë ka besim, ka energji pozitive, ka organizim dhe dispilinë, e sigurisht të dielën do të marrë një fitore siç i ka hije Rrogozhinës, Edisonit dhe Partisë Socialiste”, tha Veliaj.

Ai falënderoi demokratët që i janë bashkuar dhe vijojnë t’i bashkohen Partisë Socialiste.

“Më ka gëzuar fakti sa shumë demokratë kam takuar javët e fundit, që thonë ‘bëmë gabim, e trajtuam si bixhoz, dhe duke e trajtuar me sportivitet desh e çuam Rrogozhinën vite pas’, prandaj të gjithë demokratëve që na janë bashkuar u them: ‘Mirë se erdhët në familjen tonë, mirë se erdhët në një familje që do t’ju shërbejë dhe trajtojë të gjithëve njësoj”, tha ai.

Veliaj i ftoi të gjithë të bëhen bashkë, për të treguar edhe njëherë se Partia Socialiste dhe ata që i besojnë, nuk ndalen as nga tërmeti, as nga pandemia e as nga temperaturat e larta.

“Dua që t’ju ftoj dhe t’ju sfidoj që, këto 5 ditë që na kanë ngelur, na duhet një sprint, të shtrëngojmë çdo dorë, t’i themi si je, si i ke planet, si i ke idetë, si mund t’i bashkojmë edhe ëndrrat e aspiratat e tua me të gjithë Rrogozhinës, që ta çojmë edhe më përpara. Sot do të trokasim në çdo derë dhe kur të hapet ajo derë, nuk ka rëndësi nëse janë të majtë apo të djathtë, t’u themi: ‘Ne do jemi aty për t’ju shërbyer”, shtoi kryebashkiaku i Tiranës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat