Sot zgjedhje në Rrogozhinë, rivotohet kryebashkiaku

Shqipëria

Sot zgjedhje në Rrogozhinë, rivotohet kryebashkiaku

Më: 23 korrik 2023 Në ora: 07:32
Dy kandidatët në garë, Edison Memolla i Partisë Socialiste dhe Shkëlqim Hoxha i koalicionit opozitar “Bashkë Fitojmë”

Rrogozhina do të zhvillojë sot votimet për kryetarin e ri të saj, ku rreth 33 mijë qytetarë janë thirrur sërish në kutitë e votimit për të zgjedhur drejtuesin e tyre të katër viteve të ardhshme.

Pas shpalljes së pavlefshme të zgjedhjeve të 14 majit, dy kandidatët në garë, Edison Memolla i Partisë Socialiste dhe Shkëlqim Hoxha i koalicionit opozitar “Bashkë Fitojmë” do të jenë sot sërish përballë njëri-tjetrit për të parë se kush do të jetë qytetari i parë i Rrogozhinës.

Deri më tani njoftohet se janë 54 qendra votimi, në të cilat, 32 mijë e 826 qytetarë do të drejtohen, nga ora 07:00-19:00 dhe ndryshe nga 14 maji, do të kenë vetëm një fletë votimi, atë për kryebashkiakun, ku po njëjtë si në zgjedhjet vendore, i pari në fletën e votimit do të jetë i renditur kandidati socialist Edison Memolla dhe numrin 2 do ta mbajë Shkëlqim Hoxha.

Shpresat për këtë të fundit janë shtuar, pasi në këto zgjedhje nuk do të votojnë të burgosurit, që në zgjedhjet e fundit vulosën fitoren e Edison Memollës. Në zgjedhjet e 14 majit, në Rrogozhinë morën pjesë në votime rreth 11 mijë votues, por me ankesë të koalicioni “Bashkë Fitojmë”, Kolegji Zgjedhor vendosi të shpallë të pavlefshme zgjedhjet pas një sërë shkeljesh.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat