Një ditë pas rikonfirmimit si kryetar i PD zyrtare, Basha bën mbledhjen e parë, ja cilët ka thirrur

Shqipëria

Një ditë pas rikonfirmimit si kryetar i PD zyrtare, Basha bën mbledhjen e parë, ja cilët ka thirrur

Më: 30 korrik 2023 Në ora: 19:14
Pamje nga mbledhje

Një ditë pas zgjedhjes në krye të PD, Lulzim Basha ka mbledhur sot kolegjin e Kryetarëve. Mësohet se gjatë mbledhjes së sotme, Basha e ka nisur fjalimin e tij me një falënderim për punën e bërë gjatë ditës së djeshme. Siç shihet në fotot e mëposhtme, të pranishëm janë kryetarët e degëve, si dhe Enkelejd Alibeaj dhe Indrit Sefa.

Dje pas publikimit të rezultatit të zgjedhjeve për kryetar në Partinë Demokratike, Lulzim Basha falënderoi votuesit, strukturat e partisë si dhe kandidatin tjetër të kësaj gare, Gjergji Hanin. Basha tha se kjo ditë nuk shënon votën për një individ, por nisjen e një pune të menjëhershme.

“Jam i vetëdijshëm për kohën e vështirë që kemi kaluar dhe sfidat në të cilat ndodhet PD, demokratët dhe opozita. E di se lumenjtë e mosbesimit rrjedhin akoma, ca të vërtetë, e dhimbshme siç është e vërteta e ca të sponsorizuar nga ata që duan me çdo kusht të ruajnë status quo-në. Që e duan Shqipërinë kështu, pa mundësi ekonomike, pa liri tregu, pa konkurrencë as në politikë, as në ekonomi, me media nën presion dhe censurë, me drejtësi nën presion, pa barazi para ligjit.

Por e di po kështu se mbi të gjitha dhe para së gjithash e sotmja nuk shënon votën për një individ, as një proces të thjeshtë dhe brenda një partie, por shënon nisjen e punës. Dhe puna fillon menjëherë për të ndërtuar mes dy brigjeve të lumenjve të mosbesimit urën mes bregut të sotëm të dëshpërimit të kaq shumë shqiptarëve të djathtë e të majtë, mes depresionit psikologjik, ekonomik e social ku e ka kredhur stanjacioni i gjithanshëm.

Mes mllefit, zemërimit por edhe dëshirës për ndryshim që shpaloset anekënd dhe bregut të shpresës e të besimit tek një projekt politik që nuk do të sjellë thjesht ndryshimin e partive në qeveri, por ndryshimin e qeverisjes njëherë e mirë për çdo shqiptar”, u shpreh ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat