“Ujësjellësi i falimentuar do paguhet nga taksat e shqiptarëve”, ish-ministri i Financave: Luhatja e euros, ndikim nga krimi dhe informaliteti

Shqipëria

“Ujësjellësi i falimentuar do paguhet nga taksat e shqiptarëve”, ish-ministri i Financave: Luhatja e euros, ndikim nga krimi dhe informaliteti

Më: 4 gusht 2023 Në ora: 17:48
Ish-ministri i Financave Arben Malaj

Ish-ministri i Financave Arben Malaj në një komunikim të drejtpërdrejtë në rubrikën “Opinion” në News24, ka folur mbi situatën ekonomikë në vend, duke komentuar zhvlerësimin e euros dhe gjendjen e ujësjellësve.

Sa i përket ujësjellësve në vend, Malaj u shpreh se ka pasur një keqadministrim të tyre, gjë që sipas tij është lajmëruar edhe më herët nga raportet e KLSH.

Ai u shpreh se ujësjellësi i Durrësit, tashmë i falimentuar, do të duhet që të paguajë dëmin duke përdorur paratë e taksapaguesve shqiptarë, pasi garancia për kredinë e tij është dhënë nga shteti.

Malaj komentoi edhe zhvlerësimin e monedhës evropiane, duke thënë se sipas ekspertëve luhatjet e tilla kanë edhe ndikim nga faktorë të ekonomisë kriminale dhe informale.

Sipas tij kjo sitautë është një test edhe për qeverinë, pasi nëse forcimi i monedhës kombëtare ka qenë prej zhvillimeve pozitive, kjo do vërtetohet kur turizmi të bjerë.

“Ka një keqadministrim, pasi edhe më herët KLSH ka nxjerrë përfundime për përkeqësimin e situatës së ujësjellësve publikë, sidomos atij të Durrësit. Nga studimet e bëra në vendet e tjera, nëse sektori publik menaxhohet me kujdes, PBB rritet me 2% në vit.

Në veçanti ujësjellësi i Durrësit ka marrë kredi që do paguhen nga taksat e shqiptarëve. Duke qenë se treguesit e tyre nuk kanë qenë të mirë, garanci ka qenë nga shteti, gjë që në këtë moment sjell dëmshpërblimin nga taksat.

Kompanitë e mëdha publike janë përdorur për qëllime elektorale dhe gjendja e tyre financiare është përkeqësuar duke sjellë edhe situatën e sotme. Kam një bindje të plotë se këto ndërmarrje publike janë mbipopulluar me punonjës për arsye politike dhe nepotike.

Do gëzonim të gjithë nëse zhvlerësimi i euros do vinte nga forcimi i ekonomisë sonë, por ekspertët mendojnë se luhatjet e tilla kanë edhe faktorë të ekonomisë kriminale dhe informale. Këto theksohet edhe nga raportet ndërkombëtare, si ai i DASH.

Ditët e fundit i është dërguar një letër FMN-së dhe Bankës Botërore për të mbikëqyrur këtë situatë. Unë besoj se ata do përgjigjen pozitivisht dhe është element i mirë që biznesi ka kuptuar rëndësinë e tyre.

Ne na duhen statistikat për të parë fashën e luhatjeve për të përcaktuar veprimtaritë ekonomikë. Nëse forcimi i monedhës kombëtare ka qenë prej zhvillimeve pozitive, ajo do shihet kur turizmi të bjerë. Ky është një test edhe për qeverinë. Ata që kanë të ardhurat në euro janë ata që humbasin më shumë, ndërsa në nivelin makro qeveria përfiton pasi ul koston e borxhit. Ulja e borxhit nga zhvlerësimi i euros mund ta bëjë qeverinë më pak strikte në kontrollin e fondeve. Përfitojnë të gjithë ata që kanë pagesa për të kryer në euro.

Qeveria nuk do guxojë të bëjë pasaporta të arta nëse nuk arrin miratim nga institucionet ndërkombëtare financiare. Shqipëria mbetet në zonën gri për korrupsionin dhe më të drejtë vendet evropiane kanë dyshimet e tyre. Nuk mund të mendojmë se burimet spontane do mbështesin në terma afatgjatë ekonominë tonë. Unë besoj dhe apeloj që të mos bëjmë veprime në mënyrë të pavarur, pasi kemi ndarë një pjesë të sovranitetit me institucione si Banka Botërore apo me Bashkimin Evropian”, u shpreh ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat