Gjikondi: Dhjetë gra janë vrarë në shtatë muaj, ligjet nuk zbatohen

Shqipëria

Gjikondi: Dhjetë gra janë vrarë në shtatë muaj, ligjet nuk zbatohen

Më: 4 gusht 2023 Në ora: 18:10
Brizida Gjikondi

Rastet e krimit kundër grave në Shqipëri vijojnë të jenë të larta. Ngjarja e pak ditëve më parë në Durrës, ku humb i jetën  një 32-vjeçare tronditi opinionin publik. Referuar shifrave, juristja Brizida Gjikondi tha se në shtatë muaj e fundit numërohen dhjetë gra të vrarë.

Ajo u ndal konkretisht tek krimi i regjistruar poshtë Urës së Dajlanit, ndërsa tha se përveç vdekjes së të resë, pjesa që e ka shqetësuar është mënyra se si po trajtohet një 15-vjeçare, e cila sipas policisë është proceduar për moskallëzim krimi.

Sipas Gjikondit, vajza duhej të dërgohej menjëherë në institucionet rehabilituese dhe jo të hetohej në formën siç njoftoi Policia e Shtetit.

“Për vitin 2022, kemi pasur tetë vrasje të grave, ndërsa tani për shtatë muaj kemi dhjetë gra të vrara. Polica nuk e ka në administrim territorin dhe personat e skeduar, që mund të jenë problematikë. Në rastin e Durrësit, gjëja që më shqetësoi më shumë përveç faktit të gruas 32 vjeçare, që humbi jetën dhe që kishte kohë që e ushtronte atë profesion aty me dhunë dhe nën efektin e drogës, ishte vajza 15-vjeçare, e cila sot gjoja do ndiqet në liri për moskallëzim krimi, e cila nuk ka as përgjegjësi penale dhe që policia nuk e kishte çuar në struktura sociale për rehabilitim, sepse është një fëmijë i traumatizuar. Ajo 15-vjecare është prapë në rrugë dhe viktimë potenciale e trafikantëve”, theksoi Gjikondi.

Ajo theksoi se shqiptarët nuk duhet të ndërgjegjësohen vetëm kur ndodh ngjarja pasi rastet e dhunës janë të paralajmëruara.

“Ne kemi shumë probleme shumë të thella dhe të lidhura bashkë dhe në hallkë me njëra tjetrën. Nuk është pjesa të kujtohemi vetëm kur ndodh vrasja, por duhet të kuptojmë se të gjithë aktet e dhunës janë të paralajmëruara”, shtoi ajo.

Gjatë intervistës në ABC News, Gjikondi theksoi se shoqëria jonë ka kujtesë të shkurtër, sidomos kur viktimat janë gra.

“Ne jemi shoqëri me kujtesë të shkurtër. Ne harrojmë. Para tre ditësh u vra një grua në Maliq, e cila ishte me urdhër mbrojtje. Këtu të shpëton vetëm Zoti dhe rastësia. Ligjet bëhen, por nuk zbatohen. Nuk kemi databaze, që të kemi listën e rasteve të dhunuara”, shtoi ajo.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat