Pelegrinazhi në malin e Tomorrit, Policia plan masash për garantimin e rendit dhe sigurisë publike, ja kufizimet në akset rrugore

Shqipëria

Pelegrinazhi në malin e Tomorrit, Policia plan masash për garantimin e rendit dhe sigurisë publike, ja kufizimet në akset rrugore

Më: 17 gusht 2023 Në ora: 17:24
Foto ilustrim

Në datat 18-25 gusht do të zhvillohet pelegrinazhi i besimtarëve bektashinj në malin e Tomorrit.

Ndërkohë Policia e Beratit ka marrë një plan masash për garantimin e rendit dhe sigurisë publike gjatë këtij eventi.

Më poshtë janë të paraqitura edhe plani i masave dhe kufizimet në akset rrugore gjatë këtyre ditëve.

Njoftimi i Policisë:

Policia e Beratit ka marrë një plan masash për garantimin e rendit dhe sigurisë publike gjatë pelegrinazhit në malin e Tomorrit. Ky plan ka si objektiva: parandalimin e aksidenteve rrugore, garantimin e qarkullimit të lehtësuar të përdoruesve të akseve rrugore të qarkut, si dhe garantimin e rendit dhe sigurisë publike, para, gjatë dhe pas zhvillimit të pelegrinazhit në malin e Tomorrit, pelegrinazh i cili do të zhvillohet gjatë periudhës 18-25 gusht, 2023.

Në zbatim të këtij plani masash, janë planëzuar shërbime shtesë në të gjitha akseve rrugore që të çojnë në malin e Tomorrit, si dhe në ambientet e jashtme të objektit të kultit (teqesë) në këtë mal.

-Itinerari për drejtuesit e mjeteve që shkojnë në drejtim të malit të Tomorrit (drejt teqesë) do të jetë: “Hyrja e qytetit të Beratit – Rrethrrotullimi i Kombinatit – Unaza e qytetit – Rrethrrotullimi i Uznovës – Kryqëzimi i Plirëzit – Teqeja e Kulmakut”.

-Itineraret për drejtuesit e mjeteve që kthehen nga mali i Tomorrit ( nga teqeja) do të jenë: “Teqeja e Kulmakut – Bargullaz – Pronovik – Poliçan – Uznovë – Rruga kryesore “Antipatrea” – Rrethrrotullimi i Kombinatit” dhe “Teqeja e Kulmakut – Novaj – Bogovë – Poliçan – Uznovë – Rruga kryesore “Antipatrea” – Rrethrrotullimi i Kombinatit”.

-Drejtuesit e mjeteve dhe pelegrinët që vijnë nga qyteti i Çorovodës, këshillohen të përdorin aksin rrugor “Çorovodë – Gjerbës – Teqeja e Kulmakut” dhe anasjellas.

-Për mjetet: Në akset rrugore “Vlashuk Kuçovë – Berat”, ”Ura Kuçit – Dimal – Berat”, “Pobrat – Dimal – Berat”, ”Berat – Mali i Tomorrit”, ”Berat – Çorovodë” dhe ”Çorovodë – Gjerbës – Mali i Tomorrit”, nuk do të lejohen të qarkullojnë mjetet e tonazhit të rëndë, nga ora 06:00 – 24:00, gjatë gjithë ditëve të pelegrinazhit.

-Autobusët, furgonat me mbi 8 persona dhe minibusët nuk do të lejohen të qarkullojnë në aksin rrugor “Plirëz – Teqeja e Kulmakut – Mali i Tomorrit”.

-Për shkak të parametrave të rrugës, në segmentin rrugor “Plirëz – Teqeja e Kulmakut”, qarkullimi i mjeteve do të kryhet në kolonë, dhe nuk do të lejohen parakalimet.

-Gjithashtu, janë të ndaluar qëndrimi dhe pushimi i mjeteve, në akset rrugore. Drejtuesit e mjeteve duhet të ndjekin udhëzimet e punonjësve të Policisë, për vendet ku do të lejohet qendrimi dhe parkimi i mjeteve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat