Arrestimet për aferën e sterilizimit spitalor, reagojnë qeveria dhe opozita

Shqipëria

Arrestimet për aferën e sterilizimit spitalor, reagojnë qeveria dhe opozita

Më: 18 gusht 2023 Në ora: 18:29
Sterilizimi në spital

Në Tiranë Gjykata e Posaçme mbajti sot në arrest me burg ish zëvendës ministrin e shëndetësisë, Klodian Rrjepaj dhe biznesmenin e sterilizimeve spitalore, Ilir Rrapaj, si të dyshuar nga SPAK për falsifikime, mashtrime dhe shpërdorim detyre.

Qeveria dhe opozita reaguan në mënyra të ndryshme për këtë operacion të insitucioneve të reja të drejtësisë, gjatë të cilit u dhanë një seri masa arresti për zyrtarë të ministrisë së shëndetësisë.

Një ditë pas arrestimit të ish zëvendësministrit të shëndetësisë Klodian Rrjepaj dhe biznesmenit të sterilizimeve Ilir Rrapaj, në akuzat për shpërdorim detyre, falsifikim dokumentash dhe mashtrim me pasoja të rënda, qarqet politike reaguan në mënyra të ndryshme, por në mbështetje të hetimeve të thelluara nga Prokuroria e Posaçme.

Ndërsa dy të arrestuarit nga SPAK u mbajtën nga Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në arrest me burg, dy zyrtarë në arrest shtëpie dhe katër të tjerë në detyrim paraqitje, kryeministri Edi Rama falenderoi këto dy institucione, si prova të drejtësisë së pavarur të rindërtuar nga shumica socialiste.

Duke lënë mënjanë faktin se zoti Rrjepaj ishte numri dy i ministrisë së shëndetësisë, ku drejtonte Ilir Beqaj, një ndër bashkëpunëtorët e tij më të afërt, zoti Rama theksoi në një status të gjatë në Tuiter se SPAK-u dhe Byroja Kombëtare e Hetimit janë shprehje e vullnetit të sinqertë e të palëkundshëm shtetndërtues, të Partisë Socialiste.

Zoti Rama theksoi se kjo qeveri ka hequr dorë nga kontrolli i drejtësisë dhe po e mbështet atë pa kushte kundër korrupsionit e krimit të organizuar, Shqipëria Europiane.

Ai shtoi se qeveria socialiste e hapi me vendosmëri rrugën e drejtësisë së re dhe kurrë nuk do ta pengojë drejtësinë në rrugën e vet, brenda qeverisë apo nën ombrellën e saj.

Opozita nga ana e saj akuzoi kryeministrin Edi Rama si përgjegjës për këtë aferë korruptive, e cila rrezikon shëndetin e qytetarëve si dhe dëshmon babëzinë dhe korrupsionin e thellë të qeverisë së tij, raporton VOA.

Zëdhënësja e Partisë Demokratike, Mirela Karabina deklaroi se korrupsioni, abuzimi me detyrën dhe shpërdorimi i fondeve publikë është kthyer në një fenomen të qeverisë Rama, pasi zinxhiri i përfshirjes është në gjithë qelizat e qeverisjes dhe shtetit.

“Partia Demokratike përshëndet institucionet SPAK dhe GJKKO për këtë aksion kombëtar të vënies para drejtësisë të politikanëve e zyrtarëve të lartë dhe klientëve të tyre si shkelës të ligjit por, gjithashtu, i inkurajon këto institucione t’i shkojnë deri në fund hetimit, deri tek burimi i kësaj skeme korruptive e rrënuese për interesin publik, tek Edi Rama - kryeminstër, Ilir Beqja ish ministër i Shëndetësisë dhe Ogerta Manastirliu - ministër i Shëndetësisë”, tha zonja Karabina.

Ish zëvendës-ministri i Shëndetësisë, Klodian Rrjepaj, dhe biznesmeni i sterilizimeve Ilir Rrapaj u arrestuan të enjten nën akuzat e shpërdorimit të detyrës dhe falsifikim dokumentash në bashkëpunim lidhur me koncensionin e sterilizimit afro 100 milionë dollarë të 8 vjet më parë, i cili nga dhjetori 2015 dhe deri sot ngjalli dyshime për korrupsion, shkelje të barazisë në garë dhe mosplotësim të kritereve ligjore.

Gjashtë zyrtarë të tjerë u vendosën me të njëjtat akuza nën arrest shtëpie dhe detyrim paraqitje, si të dyshuar për bashkëpunim në këtë çështje.

Gjykata e Posaçme për Korrupsion dhe Krimin e Organizuar e ka orientuar SPAK-un që të zgjerojë hetimet edhe ndaj ish ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj, ish ministrit të Financave, Shkëlqim Cani si dhe 4 zyrtarëve të tjerë, që kanë patur lidhje, dyshime për shkelje ligjore dhe dijeni për këtë koncension.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat