Tritan Shehu: Sterilizimi në proces hetimi, s’është sukses

Shqipëria

Tritan Shehu: Sterilizimi në proces hetimi, s’është sukses

Më: 29 gusht 2023 Në ora: 14:17
Tritan Shehu

Deputeti i Partisë Demokratike tha në një intervistë për Euronews Albania se deklarata e kryeministrit Rama, ku ky i fundit e quan koncesionin e sterilizimit si një sukses është kontradiktore.

Ai tha se nuk mund të jetë ky sukses, kur shumë nga personat të cilët ishin të përfshirë në procedurat e këtij koncesioni, tashmë ndodhen në bankën e të akuzuarit të drejtësisë për korrupsion.

“Ka një kontradiktë të madh në deklaratën e kryeministrit, pasi në momentin që Rama e quan sukses koncesionin e sterilizimit, shumica e atyre që janë përfshirë sot janë në bankën e të akuzuarve nga drejtësia shqiptare. Dalja e kryeministrit sot është artificiale, ai do të heqë vëmendjen nga thelbi i asaj që po ndodh”,-tha Tritan Shehu.

Duke komentuar daljen e kryeministrit Rama te spitali Shefqet Ndroqi, Tritan Shehu tha se vërtet ka pasur zhvillim, po zhvillimi është një procedurë normale që ndodh. Sipas tij ajo që është e nevojshme është që procedurat të jenë të rregullta dhe të sigurohet një raport sa më i mirë mes kostos dhe efikasitet klinik në mjekësi.

“Zhvillimi është një procedurë normale, çdo gjë zhvillohet, ne duhet ta ndjekim mbrapa zhvillimin, por duke qenë të rregullt në procedura, duke pasur një rentabilitet sa më efecient, sa më të mirë të raportit kosto dhe efikasitet klinik në mjekësi. Ky është thelbi.

Nuk them se nuk duhen sterilizuar mjetet, gjithnjë janë sterilizuar me teknikat e asaj periudhe. Teknikat evoluojnë si çdo gjë, kardiologjia, neurologjia, të gjitha kanë evoluar, ne duhet t’i ndjekim këto duke i vënë në shërbim gratis në sistemin publik. Duke e zhvilluar sistemin publik. Nuk duhet që një pacient për një ndërhyrje urgjente në kokë të paguajë te privati 30 mijë euro pasi spitali privat nuk e bën”,-tha Tritan Shehu.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat