Benet Beci inspekton punimet në rrugën Prekal-Kir! Banorët të kënaqur me fillimin e investimit

Shqipëria

Benet Beci inspekton punimet në rrugën Prekal-Kir! Banorët të kënaqur me fillimin e investimit

Më: 30 gusht 2023 Në ora: 11:24
Foto ilustrim

Kryetari i Bashkisë Shkodër, Benet Beci, ka inspektuar punimet e nisura në rrugën Prekal-Kir.

Gjatë inspektimit kryebashkiaku Beci është takuar edhe me banorë të zonës, të cilët shprehen të kënaqur nga fillimi i këtij investimi të shumëpritur që do të ndikojë në zhvillimin dhe ripopullimin e zonës së Dukagjinit.

Projekti i hartuar nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit që financohet nga qeveria me fondin prej 200 805 067 lekë, ka si objekt mbrojtjen nga rrëshqitjet dhe ndërtimin e veprave të artit përgjatë këtij segmenti me gjatësi 17 km.

Projekti konsiston në sistemimin, profilimin e rrugës si dhe vendosjen e tombinove dhe mureve mbajtës nga Fshati Prekal deri në hyrje të Fshatit Lotaj, si dhe në restaurimin e veprave ekzistuese të artit dhe shtimin e tyre aty ku janë të domosdoshme.

Rruga do të ketë një gjerësi të përgjithshme prej 5.00 m, duke ruajtur aksin e rrugës ekzistuese. Punimet pritet të përfundojnë deri në pranverën e vitit të ardhshëm.

Ky aks rrugor, në të cilin nuk është investuar prej vitesh, ka një dimension strategjik për zhvillimin e turizmit në rajonin e Shkodrës dhe të Tropojës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat