Onkologjiku problem infrastruktura, KLSH: Kati nëntokësor risk për burim infeksioni

Shqipëria

Onkologjiku problem infrastruktura, KLSH: Kati nëntokësor risk për burim infeksioni

Më: 1 shtator 2023 Në ora: 16:12
Foto ilustrim

Mungesa e aparaturave dhe disa medikamenteve nuk është i vetmi problem në spitalin onkologjik në QSUT.

Auditi i KLSH ka nxjerrë në pah se edhe infrastruktura e godinës 4-katëshe ku iu shërbehet pacientëve, ka problem.

Alarmant është fakti se kati nëntokësor, i cili është totalisht jofunksional, është i papastër duke paraqitur risk për burim infeksioni tek pacientët.

Në raport thuhet se kati nëntokë me sipërfaqe prej 490,9 m 2 është i papërdorshëm dhe është kthyer në një ambient ku mbizotëron lagështia, është i papastër, rezultojnë pajisje mjekësore të papërdorshme, rafte, tavolina, ku pamjet flasin për një situatë kaotike, çka përbën një risk potencial për infektimin e ambienteve më sipër, nga ekzistenca e brejtësve dhe mikrobeve të ndryshme që mund të jenë në katin nëntokë.

Po ashtu, problem janë vërejtur në katin e 3 të godinës, në njësinë e radioterapisë, ku në disa nga dhomat e pacientëve ka lagështirë.

Në ditët e nxehta të verës pacientët përballen edhe me vapën e madhe në mjediset e brendshme, për shkak të problemeve teknike në sistemin ‘chiller’.

Mungesa e infrastrukturës së nevojshme të godinës së spitalit ndikon negativisht në cilësinë e shërbimit të pacientëve.

Nisur nga kjo situatë, audituesit i kanë rekomanduar drejtorisë së përgjithshme të Qendrës Spitalore Universitare Tiranë “Nënë Tereza” në bashkëpunim me Polin e Administrimit të Integruar të Spitalit Onkologjik, të marrin masa për dezinfektimin, pastrimin dhe rehabilitimin e katit nëntokë, eliminimin e lagështirës si dhe sigurimin e ajrit të kondicionuar për të gjithë godinën.

Spitali onkologjik është ndërtesë 4-kateshe, me sipërfaqe totale prej 3443,3 m2 , e cila është ndërtuar që në vitin 1968, ku herë pas herë janë kryer rikonstruksione.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat